Kapshticë, 28 qershor 2011, NOA/Irma Toptani - Greva 48 orëshe e sektorit publik dhe sindikatave në Greqi, ka krijuar konfuzion edhe në pikat e kalimit kufitar me Shqipërinë. Në pikën doganore të Kapshticës që prej mëngjesit nuk është lejuar kalimi i automjeteve në anën greke, duke krijuar një radhë deri në 1 km.
Autoritetet helene në këtë pikë doganore kanë lejuar vetëm kalimin e këmbësorëve dhe rasteve urgjente, ndërsa trau i doganës ka qëndruar i mbyllur edhe për mjetet tregtare.
Autoritetet shqiptare të kësaj pike kufitare thonë për agjencinë NOA se me qindra emigrantë janë në pritje për të kaluar drejt Greqisë.
Një vonesë që ka shkaktuar edhe problemet e para me emigrantët, një pjesë e të cilëve janë kthyer mbrapsht për ta shtyrë udhëtimin në një kohë tjetër.
Sipas tyre nuk ka patur asnjë njoftim për grevë të palës greke dhe si rrjedhojë edhe kufizim të kalimit, megjithatë pritet një takim mes palëve për të zhbllokuar situatën.
Nuk ka qenë e njëjta situatë në pikat e tjera kufitare, atë të Kakavijës, Tre Urave në Përmet dhe Qafë Botës në Sarandë.
Në këto pika doganore ka funksionuar normalisht kalimi i njerëzve dhe mallrave.
Greva e paralajmëruar e doganave greke do të zgjasë dy ditë, për shkak të kundërshtisë që sektori publik, por dhe sindikatat kanë shfaqur kundër planit të qeverisë greke për daljen nga kriza.
Ky plan, i cili parashikon masa të forta shtrënguese në paga dhe pensione është duke u diskutuar në parlamentin grek dhe për këtë arsye, administrata publike ka pezulluar punën në dy ditët e diskutimit të tij, që përkon me të martën dhe të mërkurën e kësaj jave.
mit/NOA