English

Hoxhaj: Idetë e Tadiç prodhojnë dhunë

E martë, 28 qershor 2011, NOA- Ministri i Jashtëm i Kosovës Enver Hoxhaj që nga Bullgaria i është kundërpërgjigjur deklaratave të Presidentit Serb, Boris Tadiç duke thënë se nuk sjellin gjë tjetër veçse prodhojnë dhunë.

Ministri Hoxhaj ka thënë se idetë që vijnë nga Serbia për shkëmbimin e territoreve, për ndarje dhe krijimin e shteteve monoetnike janë ide të rrezikshme dhe mund të prodhojnë vetëm dhunë në Ballkan.

“Të hënën zoti Tadiç propozon ndarje të Kosovës, të martën flet për shkëmbim të territoreve, të mërkurën flet për krijimin e shteteve monoetnike në Ballkan, derisa të enjten dhe të premten vjen me deklarata tjera. Ide të tilla janë shumë të rrezikshme dhe mund të prodhojnë dhunë, jostabilitet dhe mund ta kthejnë Ballkanin 20 vjet mbrapa. Kufijtë e Ballkanit janë vendosur, janë stabël dhe çështja e sovranitetit, e territorit janë çështje të mbyllura”, u shpreh Hoxhaj.

Sipas tij, ndërtimi i shteteve në Ballkan nuk ka qenë vetëm dëshirë, vullnet i qytetarëve brenda shteteve, por ka qenë edhe dëshirë dhe vullnet i faktorëve të jashtëm. Prandaj shtoi ai, ekzistenca e shteteve në Ballkan, varet nga perspektiva Evropiane.

Këtë deklaratë Hoxhaj e bëri duke mbajtur një ligjëratë para dhjetëra diplomatëve të shteteve të ndryshme ka mbajtur një ligjëratë në Institutin Diplomatik të Bullgarisë me temën “Shtetndërtimi dhe perspektiva Evropiane e Kosovës”.

a.y/NOA

KOMENTE