Prizren, 28 Qershor 2011 NOA – Shënohen incidente të dhunshme mes disa shqiptarëve dhe romëve në rajonin e Prizrenit, me pasojë plagosje të disa prej tyre për shkak të përdorimit të armëve të ftohta dhe forcës fizike.
Burime policore në Prizren i thanë agjencisë NOA se vetëm gjatë natës duke gdhirë dita e sotme u raportuan dy incidente.
I pari ndodhi në rrugën “Xheladin Hana” në qytetin e Prizrenit, ku dy djem shqiptarë pas një mosmarrëveshjeje kanë sulmuar fizikisht duke e therur me thikë ne shpinë një mashkull rom të cilit i kanë shkaktuar lëndime trupore.
Lidhur me rastin policia tha se janë arrestuar të dyshuarit ku gjatë bastisjes tek njëri është gjetur dhe konfiskuar një thikë qe dyshohet se është përdorur në krim.
Ndërkohë, në rrugën “Jeta e Re” po në Prizren, tre burra romë, pas një mosmarrëveshjeje kanë sulmuar fizikisht viktimën e tyre gjithashtu rom duke i shkaktuar lëndime te rënda trupore.
Policia tha se ka arrestuar një prej të dyshuarve, kurse pohoi se gjendja e të plagosurit është kritike.
a.b/NOA