Pire, 28 Qershor 2011 NOA - Është arrestuar në Pire të Greqisë, një i ri që trafikonte femra për qëllime klandestiniteti në Greqi.
Burime zyrtare nga Interpol Tirana i thanë agjencisë NOA se Jorgo Telha, 27 vjeç, lindur në Korçë u prangos me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë.
Kurse Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit tha se arrestimi me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë i shtetasit Jorgo Telha është bërë i mundur si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Athinën.
I riu korçar ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Rrethit Korçë, me vendimin e datës 22 prill 2009, e ka dënuar me dy vjet burg, për kryerjen e veprës penale të “Ndihmës për kalim të paligjshëm të kufijve”.
Gjithçka i ka fillesat më 19 gusht 2008 kur janë kapur nga policia greke në qytetin grek të Kosturit, shtetaset shqiptare G. M. dhe M. M.
Këto femra pasi u morën në pyetje nga policia, kanë pohuar se pas marrëveshjes me korçarin Jorgo Telha, kundrejt pagesave të përcaktuara më parë, ai i ka ndihmuar për të kaluar kufirin shqiptaro-grek, më datë 15 korrik 2008, në zonën kufitare të fshatit Terstenik të rrethit të Devollit.
e.t/NOA