English

KQZ nis mbledhjen, pritet vendimi për ankimimin e socialistëve

Tiranë, 28 qershor 2011, NOA- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur mbledhjen e tij, ku pritet të shqyrtohet ankimi i Partisë Socialiste për pavlefshmërinë e fituesit të Bashkisë së Tiranës.

Sipas pretendimit të socialistëve krahas mosnjohjes dhe kundërshtimit të Lulzim Bashës si kryebashkiak, është edhe kundërshtia tjetër për pavlefshmëri të zgjedhjeve në të gjitha qendrat e votimit në Tiranë.

Mbledhja e KQZ, filloi këtë pasdite pas shtyrjes së bërë gjatë mbledhjes së orës 10.00 të paradites nga kreu i këtij komisioni Arben Ristani.

Pas hedhjes së shortit do të jetë pikërisht kryetari i këtij komisioni, Arben Ristani ai që do të jetë relator i kësaj çështje, i cili dhe po relaton lidhur me pretendimet e socialistëve nga ku pritet të merret vendimi nëse do të shqyrtohet apo jo kjo çështje.

Gjatë ditës së hënë përfaqësuesit ligjor të selisë rozë, depozituan pranë këtij komisioni ankimimin e tyre i cili pritet të marrë përgjigjen në mbledhjen e kësaj pasditeje.

Gjithsesi pavarësisht çdo vendimmarrje nga ana e KQZ, Partia Socialiste edhe gjatë ditës së sotme u shpreh e vendosur për të ndjekur deri në fund betejën ligjore dhe kërkimin e së drejtës përmes rrugës së ligjit.

a.y/NOA

KOMENTE