Ndryshe nga vitet tjera, fundi i muajit qershor i këtij viti, në Kosovë po karakterizohet me manifestime kulturore, të cilat po zhvillohen në dy mjedise të ndryshme të vendit. Kështu që nga 25 qershori, në qytetin e Pejës është duke u mbajtur edicioni i dytë i festivalit ndërkombëtar të filmit të shkurtër, i titulluar “Shqip Film Fest”.
Bekim Bislimi – Radio Evropa e Lirë
Drejtori i këtij festivali, Naser Rafuna, thotë se në këtë edicion do të shfaqen rreth 40 filma të shkurtër, të cilët janë seleksionuar prej 874 filmave që kanë aplikuar nga një numër i madh i vendeve të botës për të marrë pjesë në festival.
Ai thotë se tashmë në qytetin e Pejës janë duke qëndruar një numër i madh i artistëve të filmit, ndërkohë që festivali po dëshmohet si mjaft kualitativ.
“Prurjet kanë qenë kualitative, për shkak se edhe juria është profesionale. Ne e kemi president të jurisë Martin Streingj Hansen, i cili është fitues i çmimit Oskar. Pastaj, është edhe Tamel Tom, regjisori i parë prej Estonisë, i nominuar dy herë për çmimin Oskar. Edhe anëtarët tjerë të jurisë janë me nam. Sa i përket cilësisë artistike (të filmave), ne jemi në nivelin më të lartë dhe jam i lumtur për këtë gjë. Mendoj se duhet të jetë i kënaqur edhe vetë vendi ynë”, thotë Rafuna.
Ai shton se ky festival nuk është vetëm i qytetit të Pejës dhe se në edicionet e ardhshme ka gjasa të zhvendoset nga lokaliteti në lokalitet.
“Arsyeja pse e kemi mbajtur në Pejë ka qenë sepse kemi pasur dhe kemi shumë mysafirë. Na ka interesuar edhe promovimi i trashëgimisë dhe kulturës sonë që e kemi, promovimi i artit dhe gjithçka që kemi. Kemi menduar dhe e dimë që ky regjion na i mundëson dhe i plotëson ato nevoja”, thotë Rafuna.
Gjatë gjithë festivalit, i cili do të zgjasë edhe dy ditë, nikoqirët dhe ambienti ku zhvillohet festivali “Shqip Film Fest” ofrojnë shërbimet dhe mikpritjen në mënyrë tradicionale, madje edhe të veshur me veshje tradicionale.
Në anën tjetër, 24 kilometra në veri të Prishtinës, në fshatin Kukaj të Komunës së Gjilanit, në një lartësi mbidetare prej 1 mijë metrash, dy ditë më parë ka nisur festivali “Etno Fest”.
Drejtori i këtij festivali, regjisori Fadil Hysaj, thotë se ky festival është me karakter multimedial dhe i ka disa programe, të cilat, siç thotë ai, po zhvillohen në 5 skena, në një atele dhe në një etno-galeri.
Në të janë duke marrë pjesë rreth 40 trupa artistike nga mjediset shqiptare, të cilat shpalosin vlerat tradicionale, qoftë në format arkaike, qoftë në ato moderne.
“Festivali i ka disa programe. E ka programin teatror, programin vizual apo kulturë figurative, ku marrin pjesë artet figurative dhe filmike. Pastaj, e ka programin e riteve të vjetra, programin muzikor që bazohet në traditë”.
“Gjithashtu janë edhe programet bashkëkohore, qofshin ato teatrore, figurative ose muzikore. Por, të gjitha duhet të kenë një bazë në traditë. Duhet ta kenë një lidhje me traditën që të jenë pjesëmarrës në këtë festival. Mendoj se të gjitha segmentet kanë funksionuar. Njerëzit kanë qenë shumë të kënaqur dhe disa edhe të racionuar me atë që kanë parë”, tregon Hysaj.
Ai thotë se fshati Kukaj, ku po mbahet festivali “Etno fest”, tashmë është shndërruar në një fshat artistësh.
“Ka vite që ka një ngufatje kulturore urbane dhe dalja në një lartësi, në një ajër tjetër, tani edhe një frymëmarrje kulturore tjetër, i duhet shumë Prishtinës”, thekson Hysaj.
Festivali “Etno fest” do të zgjasë deri më 30 qershor. Në muajt e ardhshëm të verës pritet që të zhvillohen edhe aktivitete të tjera kulturore si dhe festivale të filmit që tashmë janë tradicionale, festivali “Dokufest” në Prizren dhe “9/11” në Prishtinë.