English

Nis punën me sherr dhe plagosje, i pari Këshill Komunal i pas 8 Majit

Durrës, 28 Qershor 2011 NOA – Këshilli Komunal në komunën Rrashbull të rrethit Durrës bëhet i pari që konstituohet pas zgjedhjeve të 8 majit, por fillimi i punës është shoqëruar me incidente mes këshilltarëve duke shkaktuar dhe plagosjen e njërit prej tyre.

Gjithçka ka ndodhur sot në mesditë. Nj.H., 55 vjeç, anëtar i Këshillit të Komunës Rrashbull, përfaqësues i një partie të vogël, pasi ka dalë nga mbledhja që zhvillohej për konstituimin e Këshillit të Komunës gjatë së cilës ka pasur edhe një debat, është qëlluar me grushte nga këshilltari tjetër, ai socialist F.G. duke pësuar dëmtime fizike.

Lidhur me incidentin, këshilltari bëri denoncim dhe policia konfirmoi për agjencinë NOA se filloi procedimi penal në gjendje të lirë në ngarkim të këshilltarit F.G., 37 vjeç, banues në Shënvlash Durrës, anëtar i Këshillit të Komunës Rrashbull.

“Procedimi penal ndaj 37 vjeçarit filloi pasi ka bërë kallëzim 55 vjeçari Nj.H dhe nga ana jonë u kryen veprimet e nevojshme procedurale”, - tha policia. Ajo shtoi se materialet për veprën penale të dëmtimeve të tjera me dashje iu përcollën Prokurorisë së Rrethit Durrës.

e.t/NOA

KOMENTE