Tiranë, 28 Qershor 2011 NOA – Partia Demokratike vlerëson se Edi Rama po intensifikon përpjekjet për të përbaltur procesin zgjedhor. Kurse vlerëson se të gjithë qytetarët shqiptarë e dinë se këto zgjedhje ishin të ndershme, të lira, transparente dhe zgjedhjet më të mira që janë bërë në Shqipëri, ku gjithçka u shfaq drejtpërdrejt në ekrane.
Albana Mustafaraj, zëdhënëse e PD, kujtoi sot faktin se në këto zgjedhje morën pjesë një milion e 600 mijë qytetarë duke bërë që zëri i tyre të dëgjohej, një pjesëmarrje rekord përsa i përket zgjedhjeve lokale.
Kurse evidentoi edhe se komuniteti ndërkombëtar i ka vlerësuar këto zgjedhje në mënyrë të përsëritur.
“Demokracia nuk është në rrezik kur numërohet çdo votë, demokracia vihet në rrezik nëse nuk dëgjohet zëri i qytetarëve”, - vlerëson PD.
Sipas partisë kryesore në qeverisje, demokracia funksionon më lehtë kur ka një diferencë të konsiderueshme në rezultat, por demokracia provohet kur ka një rezultat të ngushtë, dhe këto zgjedhje në Tiranë treguan forcën e demokracisë dhe të institucioneve të pavarura, duke ndjekur rrugën e ligjit që mundësoi dëgjimin e zërit të çdo qytetari.
Mustafaraj tha se më shumë qytetarë votuan për kandidatin e Aleancës për Qytetarin që të jetë kryebashkiaku i ardhshëm i Tiranës, por më e rëndësishme se kjo, është fakti se u dëgjua zëri i çdo qytetari.
Kurse duke kritikuar lëvizjet e kreut të opozitës, Mustafaraj tha: “Sot, cirku i z.Rama vazhdoi me akuzat e pabaza dhe me kërcënime ndaj institucioneve të pavarura. Z.Rama e quan veprimin e KQZ të paligjshëm, ndërkohë që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u urdhërua të numëronte dhe shqyrtonte votat nga Kolegji Zgjedhor, si rezultat i kërkesës ligjore që bëri vetë z.Rama.
Sipas PD, kjo është arsyeja pse të gjithë qytetarët në Shqipëri po pyesin: Përse z. Rama kërkon të mbysë zërin e qytetarëve? Dhe “Përse z.Rama nuk pranon rezultatin e demokracisë?
e.t/NOA