Prishtinë, 28 Qershor 2011 NOA/ Ervin Tirana – Duke mos hequr dorë nga strategjia e shëmtuar e tyre, e vjetër në kohë, një grup serbësh kanë shfrytëzuar festën e tyre fetare që të provokojnë incidente në rajonin e Prishtinës, duke detyruar policinë të ndërhyjë.
Rreth 1.500 pjesëmarrës - pelegrinë, në mënyrë të organizuar kanë marrë pjesë sot në Graçanicë dhe Gazimestan të rajonit të Prishtinës me rastin e festës me karakter religjioz “Vidovdani”.
Burime zyrtare nga policia rajonale i thanë agjencisë NOA se konform procedurës, është zbatuar një plan operacional për ruajtjen e rendit si dhe konform nevojave dhe situatës së paraqitur në teren.
Por gjatë kohës së manifestimit janë raportuar disa provokime të bëra nga pjesëmarrësit serbë në këtë manifestim si dhe disa incidente banale, si gjuajtje me gurë ndaj mjeteve motorike.
Policia theksoi se këto incidente nuk kanë ndikuar në aspektin e sigurisë, kurse konfirmoi se në një rast ka ndaluar dhe shoqëruar pesë persona për intervistim, si dhe ka konfiskuar automjetin e tyre sepse pas përfundimit të pjesëmarrjes në manifestim, gjatë rrugës në kthim e sipër kanë sulmuar me gurë zyrtarët policorë.
Vlen të theksohet se provokimet dhe incidentet e ndodhura nuk kanë ndikuar në aspektin e sigurisë.
Karakteristikë që duhet veçuar me rastin e realizimit të planit policor është një planifikim me kohë i udhëhequr nga PK-ja i cili është bazuar në kërkesat e parashtruara me kohë organeve vendimmarrëse për lejimin e hyrjes së delegacioneve në Republikën e Kosovës përmes vendkalimeve të ndryshme kufitare me Republikën e Serbisë.
Policia e Kosovës tha se me vigjilencë dhe profesionalizëm maksimal ka ofruar shërbimin e vet të sigurimit të pelegrinëve dhe qytetarëve në përgjithësi, duke siguruar një qarkullim të lirë sipas agjendave dhe planeve te parapara.
a.b/NOA