Tiranë, 28 qershor 2011 NOA- Partia socialiste nuk heq dorë, por këmbëngul në fitoren e kandidatit të saj për bashkinë e Tiranës, Edi Rama.
Edhe sot, deputetë të kësaj partie kanë denoncuar vendimin, kriminal sipas PS-së, të KQZ-së për shpalljen fitues të kandidatit të djathtë, Lulzim Basha.
“Ne nuk e njohim dhe kurrë nuk kemi për ta njohur këtë vendim, që nuk buron nga vullneti i zgjedhësve, por veç nga vullneti dhe skemat manipuluese të Sali Berishës. E pa i madh e i vogël sesa haptazi e në ç’ mënyrë primitive u cënua integriteti i kutive të votimit për të manipuluar votat në favor të Lulzim Bashës. E pa i madh e i vogël sesi në pjesën më të madhe të kutive mungonte kodi i pestë, pikërisht ai kod që mbyll hapësirën nga ku zgjedhësit hedhin fletët në kuti”, ka deklaruar deputetja Olta Xhaçka.
Partia socialiste ripërsërit se Tirana e ka sot një fitues, fitoren e të cilit e pa e gjithë Shqipëria.”Ai është Edi Rama i cili fitoi me dhjetë vota avantazh ndaj Saliut, Lulit, Ilirit, dublimeve, votuesve shëtitës nga mbarë trevat shqiptare, kartave false të identitetit, presioneve, kërcënimeve e blerjeve të makinerisë manipuluese të pushtetit. Tirana ka sot dhe një humbës i cili do të bënte mirë të dëgjonte zërin e qytetarëve dhe të pranonte humbjen. Ky është Luli i Saliut, i cili pasi humbi garën zgjedhore, por përpiqet tani me Saliun e për Saliun të grabisë Bashkinë e Tiranës në tavolinën e Ristanit dhe ndonjë gjyqtari të kapur nga pushteti”, tha në deklartën për median deputetja socialiste.
Për të gjitha këto arsye, PS pretendon se rezultati i shpallur nga KQZ me urdhër të kryeministrit është i pavlefshëm dhe i papranueshëm. Deputetja Xhaçka ka siguruar se “Partia Socialiste do të ndjekë rrugën ligjore për të rrëzuar këtë vendim e bindur në drejtësinë e kauzës së saj përpara së cilës asnjë gjykatë e gjykatës, sado i trysnuar qoftë nga pushteti, nuk mund të mbyllë sytë. Pasojat do të ishin shumë të rënda”.
a.q/NOA