“Evropa Juglindore vazhdon të përmirësojë Rregullat për Biznesin për sipërmarrësit deklarojnë Korporata Financiare Ndërkombëtare (IFC)-Banka Botërore”
Vjenë, 28 qershor 2011 NOA/ Ervin Tirana - Sipas një raporti të ri të Korporatës Financiare Ndërkombëtare dhe Bankës Botërore reforma rregullatore e biznesit në Evropën Juglindore po u kursen sipërmarrësve vendas si kohën ashtu edhe paratë.
Raporti i prezantuar sot Të bësh biznes në Evropën Juglindore 2011 (Doing Business in Southeast Europe 2011) është i dyti i këtij lloji që analizon se sa lehtë është të bësh biznes në 22 qytete nga shtatë ekonomi: Shqipëri, Bosnje-Hercegovinë, Kosovë, Ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë, Moldavi, Malin e Zi dhe Serbi.
Ekonomitë e Evropës Juglindore kanë vazhduar reformën rregullatore për bizneset pavarësisht krizës financiare globale. Rezultatet tregojnë se të gjitha 19 qytetet e vlerësuara në raportin e vitit 2008 janë përmirësuar në të paktën një prej katër fushave rregullatore të vlerësuara – hapja e biznesit, marrja e lejeve të ndërtimit, regjistrimi i pronës dhe zbatimi i kontratave.
Në të gjithë rajonin kostoja mesatare për të nisur një biznes është ulur nga 22 në 13 përqind të të ardhurave mesatare për frymë. Koha mesatare që nevojitet për të përpunuar lejet e ndërtimit dhe për të regjistruar pronën është reduktuar me më shumë se një muaj.
Ndërsa asnjëri prej qyteteve nuk ka rezultate të mira në të katër indikatorët e matur, në rajon është më lehtë të marrësh lejet e ndërtimit në Niksic (Mali i Zi) dhe të transferosh pronën në Balti dhe Kishinau (Moldavi). Shkupi (Ish-Republika Jugoslave e Maqedonisë) dhe Banja Luka (Bosnje-Hercegovinë) kanë bërë progresin më të madh duke realizuar reforma në fushën e biznesit në të katër fushat e vlerësuara.
Nga ana tjetër është më e vështirë të nisësh një biznes në Prishtinë (Kosovë), të regjistrosh pronën në Mostar (Bosnje-Hercegovinë) dhe të zbatosh një kontratë në Prizren (Kosovë). Marrja e lejeve të ndërtimit është më e vështirë në Beograd (Serbi).
Në disa kategori qytetet e rajonit mund të krahasohen me qytetet që kanë indikatorët më të mirë në botë. Duke aplikuar zgjidhjen “one stop shop” Shkupi (Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë) ka thjeshtuar procesin e hapjes së një biznesi duke zënë kështu vendin e pestë në botë në këtë fushë.
Kompjuterizimi dhe ndërmjetësimi në mosmarrëveshjet tregtare kanë rritur efikasitetin e gjykatës në Zrenjanin(Serbi) ku zbatimi i kontratave tani është po aq i shpejtë sa në Shtetet e Bashkuara.
“Ekonomitë konkurruese nuk mund të mbijetojnë si ishuj”- citon agjencia e lajmeve NOA, Augusto Lopez Claros, Drejtor për Indikatorët dhe Analizën Globale në Grupin e Bankës Botërore. “Ndarja e përvojave për reformat është një mundësi për të përmirësuar konkurrencën në nivel kombëtar dhe rajonal”.
***
Të bësh biznes në Evropën Juglindore 2011 shqyrton kuadrin rregullator të biznesit për sipërmarrjet e vogla dhe të mesme. Studimi u realizua me mbështetjen financiare të Sekretariatit Zviceran të Shtetit për Çështjet Ekonomike (SECO), Qeverisë Austriake dhe Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID).
***
Grupi i Bankës Botërore është një nga burimet më të mëdha në botë për financim dhe njohuri për vendet në zhvillim. Ai përfshin pesë institucione të lidhura ngushtë me njëri-tjetrin: Bankën Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim (IBRD) dhe Shoqatën Ndërkombëtare për Zhvillim (IDA) të cilat së bashku formojnë Bankën Botërore; Korporatën Financiare Ndërkombëtare (IFC); Agjencinë për Garantimin e Investimeve Shumëpalëshe (MIGA) dhe Qendrën Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrveshjeve të Investimeve (ICSID). Secili institucion luan një rol të qartë në misionin për të luftuar varfërinë dhe për të përmirësuar standardet e jetesës për njerëzit në botën në zhvillim.
e.t/NOA