English

Shkelët ligjin ndërkombëtar, AI: Sigurojini urgjent strehim jetimëve të dëbuar

E martë, 28 qershor 2011, NOA – Dëbimi me forcë i jetimes Mjaftoni Xhymertaj dhe fëmijës së saj të vogël pa asnjë paralajmërim e pa të drejtë apeli nga dhoma në konviktin e Shkollës së mesme Teknologjike në Tiranë ku ajo jetonte prej tre vitesh ka indinjuar organizatën Amnesty International.

Mjaftoni Xhymertaj sot 22 vjeç u dëbua me forcë nga dhoma e saj në 13 qershor nga policia bashkiake.

Jetimja 22-vjeçare u vendos në jetimore qysh kur ishte vetëm tre vjeç, pasi babai i saj vdiq dhe nëna e saj u rimartua.

Mjaftoni është papunë, ka shëndet të dobët dhe jeton në varfëri të skajshme.

Amnesty International shprehu shqetësimin për dëbimin me forcë të jetimëve të pastrehë, nga konvikti i Shkollës së mesme Teknologjike Hoteleri – Turizëm në Tiranë, në shkelje të ligjit ndërkombëtar.

Organizata u bën thirrje autoriteteve shqiptare që t’u sigurojnë urgjentisht jetimëve strehim të përshtatshëm dhe të përballueshëm.

AI dënon ashpër mosveprimin e autoriteteve për vite me rradhë si rezultat, i të cilës ambientet shkollore janë përdorur si ambiente strehimi për jetimët e rritur e të pastrehë. Kjo organizatë apelon për ndryshime në legjislacion dhe në praktikën për të siguruar qasje për strehim të përshtatshëm dhe punësim për të gjithë jetimët e pastrehë, që janë rritur nën kujdesin social.

AI bën me dije se “Sipas të drejtës ndërkombëtare, autoritetet e kanë për detyrë të mbrojnë të drejtën e qytetarëve për strehim të përshtatshëm. Para dëbimit, të prekurit duhet t'i jepet njoftim paraprak me shkrim, ku saktësohet data për largim nga vendbanimi; atyre duhet t’u njihet e drejta për t’u ankuar pranë institucioneve përkatëse; ata duhet të informohen mbi mjetet ligjore dhe ndihmën juridike. Ata duhet të konsultohen që në fillim të procesit të dëbimit në lidhje me opsionet për një strehim të ri dhe nuk duhet të lihen të pastrehë nëse nuk janë në gjendje të përballojnë shpenzimet për një banesë tjetër. Nëse ata zhvendosen, atyre u duhen garantuar shërbimet bazë, si uji, energjia elektrike dhe ato sanitare; vendndodhja e banesës së ofruar duhet të lejojë qasje për punësim, shkollim dhe shërbime shëndetësore”, thuhet në deklaratën e Amnesty International.

Kjo organizatë thekson se bashkë me Mjaftoninë janë dëbuar nga konvikti edhe pesë jetimë te tjerë.

Drejtoria e konvikteve e argumentoi largimin e tyre me mbylljen e konviktit gjatë muajve të verës si dhe riparimin e godinës gjatë kësaj kohe.

Bëhet me dije se vetëm dy prej këtyre të rinjve, janë ende nxënës, dhe do të ripranohen në konvikt në fillim të vitit të ri shkollor.

Dy djemve të tjerë të pastrehë, Erzen Hasanit dhe Edmond Tushës, të dy me statusin e jetimit, të cilët jetojnë në një dhomë të mjerueshme jashtë konviktit, u është ndërprerë uji dhe energjia elektrike.

Edhe këta të dy kanë frikë se i pret dëbimi, thotë AI.

Organizata nënvizon se asnjë nga këta të rinj nuk mund të përballojë shpenzimet e një banese private me qera dhe shteti nuk u ka ofruar asnjë alternativë të përshtatshëm dhe të përballueshme për t’u strehuar.

“Sipas të drejtës ndërkombëtare, Shqipëria duhet të bëjë çdo përpjekje për të siguruar strehim të përshtatshëm dhe të përballueshëm për qytetarët e saj. Legjislacioni Shqiptar u garanton personave me status jetimi të drejtën e trajtimit me përparësi në strehim. Në praktikë, shumica e të rinjve që janë rritur në përkujdesin social njihen si 'jetimë socialë ", siç është Mjaftonia. Ata nuk mund të pajisen me status jetimi, sepse kanë një ose të dy prindërit gjallë, por realiteti tregon se prindërit nuk janë në gjendje t’u ofrojnë strehim”, theksohet më tej në deklaratë.

Por fakt është se në Shqipëri, edhe ata të cilët janë të pajisur me statusin e jetimit vazhdojnë të mbeten të pastrehë, siç është rasti i Erzenit dhe Edmondit, madje disa prej tyre kanë pritur më kot për shumë vite që t’u realizohet e drejta e tyre për përparësi në strehim.

Premtimet dhe mosveprimet e qeverisë dhe autoriteteve bashkiake:

Të dhënat flasin se në vitin 2009, në prag të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare, kreu i partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, Ilir Meta u premtoi jetimëve të Shqipërisë se ai do të bëjë gjithçka për t'u dhënë atyre qasje në punësim dhe strehim.

Ky premtim bën me dije AI nuk është realizuar ende.

prill 2011, në prag të zgjedhjeve vendore, Lulzim Basha, si kandidat i partisë në pushtet për kryebashkiak i Tiranës, u zotua se strehimit dhe punësimit të jetimëve do t'i jepet një vëmendje e veçantë.

Basha, i cili është shpallur edhe fitues i garës për zgjedhjet në Tiranë, por pret verdiktin e institucioneve të drejtësisë, premtoi se brenda katër viteve të ardhshme Bashkia e Tiranes do të ndërtojë 1.000 banesa sociale dhe në krye të listës do të jenë jetimët.

Por, duhet thënë se për shkak të mosmarrëveshjeve të brendshme, bashkia e Tiranës, në duart e Partisë Socialiste për 10 vitet e fundit, ka vonuar ndarjen e 385 banesave sociale me qera.

Këto janë ndërtuar me ndihmën e një kredie nga Banka për Zhvillim e Këshillit të Evropës, me qëllim që të shpërndahen me përparësi drejt grupeve të pafavorizuara, duke përfshirë edhe personat me statusin e jetimit.

Në një raport të botuar në vitin 2010, “Nё kёrkim të një strehe - largimi nga përkujdesi social nё Shqipёri” (Indeks: EUR 11/004/2010), Amnesty International theksoi se “shumica e personave të rritur nën kujdesin social në Shqipëri kanë një nivel të ulët arsimor dhe ndeshen me shumë vështirësi kur kërkojnë punë. Si pasojë, ata nuk janë në gjendje të blejnë ose të marrin me qera një banesë në sektorin privat dhe kështu rrezikojnë të jetojnë në kushte të mjerueshme”, raporton AI.

mit/NOA

KOMENTE