English

Tadiç: Presionet nuk ndikojnë në vendimet e Serbisë

E martë, 28 qershor 2011, NOA- Presidenti serb mbajti në Berlin ligjëratën "Serbia si aktor pajtimi rajonal dhe faktor stabiliteti në Ballkan". Tadiç foli për gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme për çështjen e Kosovës dhe krimet në rajon.

Ligjërata u organizua nga fondacioni "Friedrich Ebert". Drejtori i fondacionit, Dr. Roland Schmidt, theksoi në fjalën e tij hapëse rolin e Serbisë për stabilitetin politik në rajon. Schmidt përshkroi edhe natyrën e marrëdhënieve mes Gjermanisë dhe Serbisë: Gjermania është mike e Serbisë. Këtë nuk e them vetëm për shkak të miliarda eurove si ndihmë bilaterale në dhjetë vitet e fundit, as për shkak se Gjermania është partner biznesi i Serbisë por për shkak të raporteve personale mes dy vendeve tona."

Tadiç në ligjëratën e tij tha se pajtimi në Ballkan nuk është aspak një nocion abstrakt por detyrim ndaj gjeneratave të ardhshme dhe parakusht bazë për bashkëjetesën paqësore të popujve ballkanik. Arrestimi i të gjithë të dyshuarve për krime lufte është parakusht për pajtimin në rajon: "Askush nuk është dhe nuk duhet të jetë mbi drejtësinë dhe duhet të hetohen të gjitha krimet e luftës. Kjo është arsyeja pse unë pres që Këshilli i Sigurimit i OKB-së të miratojë një hetim të pavarur për pretendimet tronditëse në raportin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për tregtinë ilegale me organe të njerëzve në Kosovë. Serbia nuk i mohon krimet e kryera ndaj shqiptarëve të Kosovës, por ka një tendencë që tek bashkësia ndërkombëtare të mohohen krimet e kryera ndaj serbëve.

Pasi me arrestimin e Ratko Mlladiç u përmbush një prej kërkesave kyçe, Serbia pret që të pranohet kandidatura e saj dhe të hapen shpejt negociatat për pranim në Bashkimin Evropian. Tadiç theksoi se inkuadrimi i Serbisë mund dhe duhet ta forcojë Bashkimin Evropian e jo ta dobësojë atë.

Gjetja e një zgjidhje me Kosovën

Në diskutimin e mbajtur pas ligjëratës, Dietmar Nietan, si përfaqësues i grupit parlamentar të punës për Evropën Juglindore komentoi qëndrimin e Serbisë ndaj çështjes së Kosovës: "Ju folët për atë se do të dëshironit që para hyrjes në BE të keni zgjidhur çështjen e Kosovës. Politika e juaj në këto vitet e fundit e ka treguar qartë se në Serbi zhvillohet një diskutim shumë racional për problemin e Kosovës. Përshtypja ime është se votuesit në Serbi sot kanë një qasje shumë më racionale."

I pyetur nëse Serbia me bojkotin e saj të disa konferencave rajonale ku Kosova merr pjesë si shtet i pavarur, po e rrezikon procesin e pajtimit të cilin e mbështet në mënyrë deklarative, Tadiç u përgjigj: "Në dialogun me Prishtinën jemi duke u përpjekur që të gjejmë një zgjidhje por ne kemi informacione të mjaftueshme që pala tjetër në dialog paralelisht me kërkimin e zgjidhjes provon që ta detyrojë Serbinë që në mënyrë implicite të njohë pavarësinë e Kosovës dhe Metohisë. Kështu që nuk bëhet fjalë për një lojë politike, se a pranohet apo nuk pranohet në mënyrë implicite pavarësia e Kosovës por këtu bëhet fjalë për gjetjen e një zgjidhje që do të ishte e qëndrueshme."

Mlladiç nuk është arrestuar për shkak të presionit

Presidenti Tadiç sqaroi se presioni i bashkësisë ndërkombëtare nuk ka pasur asnjë efekt në vendimin për arrestimin e Ratko Mlladiçit dhe nuk do të ketë asnjë efekt as në rastin e zgjidhjes së problemit të Kosovës: "Asnjë presion nuk ka sot efekt në politikën tonë. Shumë shpesh kam lexuar në mediet evropiane se Serbia e ka arrestuar dhe ekstraduar Mlladiçin për shkak se ka pasur presione për ta bërë këtë. Këtë vendim e kam marrë si president i Serbisë në pajtim me kompetencat që më takojnë e jo për shkak të presionit nga BE ose nga Tribunali i Hagës, por për veten tonë. Për shkak të serbëve, të boshnjakëve dhe të kroatëve. Asnjë presion nuk ka pasur efekt në bashkëpunimin e Serbisë me Tribunalin e Hagës. As në kontekstin e negociatave mes Beogradit dhe Prishtinës, presionet nuk kanë asnjë efekt. Ne duam të gjejmë një zgjidhje. Kjo vlen edhe për pjesëmarrjen tonë në forumet rajonale."

DW/NOA

KOMENTE