Pejë, 28 Qershor 2011 NOA Update - Vritet në një lokal bixhozi në qytetin e Pejës një 35 vjeçar nga fshati Maznik i komunës së Deçanit. Sipas hetimeve të para të policisë gjatë kohës se incidentit personi i qëlluar, ka qenë mysafir në ketë lokal. Policia ka arrestuar një të dyshuar femër punëtore në këtë lokal qe dyshohet se është autore e vrasjes, gjithashtu është konfiskuar një revole.
RTK tha se nga hetimet e deritashme të policisë nuk është kuptuar shkaku i vrasjes, por është arrestuar një person dhe konfiskuar një pistoletë, me të cilën dyshohet të jetë bërë vrasja. I ndjeri është qëlluar me armë zjarri në orët e hershme të mëngjesit të ditës së martë në një lokal të lojërave të fatit që gjendet në Stacionin e Autobusëve në Pejë.
Zëdhënësi rajonal i policisë, Zeqir Kelmendi bëri të ditur se informatat e para lidhur me rastin në polici kanë ardhur rreth orës 6.30 të mëngjesit dhe njësitet patrulluese kanë dal menjëherë në vendngjarje. Duke cituar Kelmendin, Kosovapress tha se nga hetimet e deritashme nuk janë kuptuar motivet e vrasjes, por një femër punëtore e lokalit ku ka ndodhur vrasja është arrestuar. “Deri tani nuk dihen motivet, por policia ka arrestuar një të dyshuar, e cila është punëtore në lokalin e lojërave të fatit ku edhe ka ndodhur vrasja. Gjithashtu është konfiskuar edhe një armë, përkatësisht një pistoletë e cila dyshohet se është përdorur ne ketë rast”, tha Kelmendi. Burimet policore thonë se i vrarë është 35 vjeçari Shkëlzen Qelaj nga fshati Maznik i komunës së Deçanit. Më pëlqimin e prokurorit trupi i pa jetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, kurse e dyshuara që është arrestuar po me urdhër të prokurorit, mbahet në ndalim policor.