Uashington, 28 qershor 2011 NOA/ Albana Qehajaj- Shqipëria është një vend burimi për burra, gra, dhe fëmijë që i nënshtrohen trafikimit për shfrytëzim seksual dhe punë të detyruar, përfshirë lypjen e detyruar të fëmijëve. Viktimat shqiptare i nënshtrohen kushteve të punës së detyruar dhe trafikimit për shfrytëzim seksual brenda Shqipërisë dhe në Greqi, Itali, Maqedoni, Kosovë dhe në Europën Perëndimore. Afro gjysma e viktimave që u referuan për përkujdesje brenda territorit të vendit gjatë vitit 2010 ishin gra dhe vajza shqiptare që i nënshtroheshin kushteve të seksit të detyruar në hotele dhe rezidenca private në Tiranë, Durrës dhe në Vlorë. Fëmijët në radhë të parë shfrytëzoheshin për lypje të detyruar dhe forma të tjera të punës së detyruar; disa vajza ishin nënshtruar prostitucionit ose punës së detyruar pas martesave me shkuesi. Ka të dhëna që burra shqiptarë i janë nënshtruar punës së detyruar në sektorin bujqësor në Greqi dhe në vende të tjera fqinje. OJQ-të vazhdojnë ta raportojnë si problem ritrafikimin e viktimave shqiptare.
Qeveria e Shqipërisë nuk përmbush plotësisht standardet minimale për eliminimin e trafikimit; megjithatë, është duke bërë përpjekje domethënëse për ta bërë këtë. Gjatë vitit, qeveria mori disa hapa konkrete për të përmirësuar strategjinë e përgjithshme anti-trafikim. Konkretisht, qeveria ka caktuar fonde për OJQ-të dhe ka ofruar asistencë të drejtëpërdrejtë për riintegrimin ekonomik të viktimave. Qeveria caktoi gjithashtu një koordinues viktimë-dëshmitar dhe dy prokurorë të specializuar anti-trafikim për të përmirësuar proceset gjyqësore të rasteve të trafikimit dhe trajtimin e viktimave që bashkëpunojnë si dëshmitarë për shtetin. Këto përpjekje paralajmërojnë për mirë për rezultatet në të ardhmen. Megjithatë, gjatë periudhës së raportimit, një ministri e qeverisë u përpoq të hiqte në mënyrë të njëanshme licensat strehëzave të tri OJQ-ve të specializuara për anti-trafikim, por e prapësoi urdhëresën pas ndërhyrjeve të përsëritura nga komuniteti ndërkombëtar. OJQ-të vazhduan të raportojnë boshllëqe në zbatimin e Mekanizmit të Kombëtar të Referimit (MKR). Për më tepër, korrupsioni i kudogjendur, veçanërisht brenda gjyqësorit, vazhdoi të pengojë përpjekjet anti-trafikim të zbatimit të ligjit dhe të mbrojtjes së viktimave.
Rekomandime për Shqipërinë: Të vazhdojë të përmirësojë zbatimin e MKR-së dhe të sigurojë pjesëmarrjen e plotë të të gjithë nënshkruesve; të ndjekë penalisht në mënyrë agresive kundravajtësit ligjzbatues që janë bashkëfajtorë në trafikimin njerëzor; të hetojë plot forcë dhe të ndjekë penalisht kundravajtësit trafikimit për shfrytëzim seksual ose punë; të fuqizojë koordinuesin e ri viktimë-dëshmitar dhe prokurorët e specializuar për të ndihmuar në krijimin e një përgjigjeje shumë-disiplinore ndaj trafikimit të bazuar në fakte; të përmirësojë funksionimin e komisioneve rajonale anti-trafikim për përmirësimin e identifikimit dhe përgjigjen ndaj rasteve të trafikimit të brendshëm; të finalizojë fondet e premtuara për OJQ-të që ofrojnë përkujdes kritik dhe ndihmë riintegrimi viktimave; të sigurojë identifikimin proaktiv në pikat e kalimit kufitar dhe mes personave që shfrytëzohen brenda sektorëve të tregtisë së seksit dhe të punës në Shqipëri ndërsa intensifikon partneritetet me OJQ-të për të rritur zbulimin dhe referimin e të gjitha viktimave të trafikimit; dhe për të përmirësuar identifikimin dhe shërbimet e specializuara për viktimat fëmijë të trafikimit.
Ndjekja penale
Qeveria e Shqipërisë rriti përpjekjet e saj për zbatimin e ligjit kundër trafikimit gjatë vitit 2010. Shqipëria ndalon penalisht trafikimin për shfrytëzim seksual dhe punë me anë të neneve 110(a), 128(b), dhe 114(b) të Kodit të saj Penal, të cilat parashikojnë ndëshkime nga 5 deri në 15 vite burgim. Këto ndëshkime janë mjaftueshëm shtrënguese dhe kapërcejnë ato të parashikuara për krime të tjera të rënda, të tilla si përdhunimi. Në vitin 2010, Policia e Shtetit raportoi hetimin e 51 trafikuesve të dyshuar në 37 çështje, ku të gjitha u referuan në gjykatë për ndjekje penale. Seksioni i Prokurorisë së Krimeve të Rënda raportoi hetimin e 29 trafikuesve të dyshuar dhe Gjykata e Krimeve të Rënda ndoqi penalisht 27 kundravajtës të dyshuar për trafikimin në vitin 2010, duke dënuar 11 prej tyre, krahasuar me ndjekjen penale të 31 kundravajtësve dhe dënimin e 11 prej tyre në vitin 2009. Ndëshkimet varionin gjobitje, nga 7 deri në 15 vite burgim. Në vitin 2010, qeveria përmirësoi reagimin e saj ndaj trafikimit për punë duke nisur një hetim penal për një çështje trafikimi për punë. Qeveria angazhoi 40 hetues policorë anti-trafikim posaçërisht për hetimet e trafikimit njerëzor gjatë vitit 2010; largimi i një numri të madh të personelit, veçanërisht mes oficereve femra, vazhdoi të mbetet problem. Qeveria, në partneritet me OJQ-të, vazhdoi trainimin rutinor para dhe gjatë shërbimit anti-trafikim, përfshirë teknika intervistimi për rekrutët dhe personelin policor gjatë vitit 2010. Qeveria vazhdoi gjithashtu trajnimin e saj anti-trafikim për gjyqtarë, prokurorë dhe oficerë të policisë gjyqësore, trajnimin e 113 zyrtarëve gjyqësorë gjatë vitit 2010.
Korrupsioni i përhapur në të gjitha nivelet dhe sektorët e shoqërisë Shqiptare pengoi seriozisht aftësinë e qeverisë për të trajtuar problemin e saj të trafikimit. Qeveria nuk raportoi asnjë hetim, fillim ndjekjeje penale ose ndëshkim për bashkëfajësi të lidhur me trafikimin në vitin 2010.
Mbrojtja
Qeveria e Shqipërisë përmirësoi përpjekjet e saj për të identifikuar dhe mbrojtur viktimat e trafikimit gjatë vitit 2010. Në vitin 2010, OJQ-të dhe strehëza e qeverisë ndihmuan 97 viktima trafikimi përmes Mekanizmit Kombëtar të Referimit, krahasuar me 94 viktima në vitin 2009. Katërmbëdhjetë prej viktimave ishin fëmijë. Ligjzbatuesit identifikuan 51 nga 97 viktima të referuara për ndihmë; qeveria raportoi se i njëjti numër viktimash bashkëpunoi me ligjzbatuesit për çështjet e tyre. Gjatë vitit 2010 ranë në sy përpjekjet proaktive të Qeverisë së Shqipërisë për identifikimin e viktimave të trafikimit, zyrtarët identifikuan një numër domethënës viktimash krahasur me rajonin e Ballkanit, përfshirë një viktimë trafikimi për punë. Ndërsa qeveria zyrtarisht njohu problemin e trafikimit brenda vendit, mungesa e të kuptuarit dhe e të përgjigjurit e personave në nivel vendor ka të ngjarë të ketë rezultuar në mungesën e identifikimit dhe të referimit proaktiv të këtyre viktimave. MKR-ja, vlerësuar përgjithësisht nga aktorët shqiptarë dhe vëzhguesit e huaj si një kuadër efikas, vazhdoi të vuajë prej zbatimit të pamjaftueshëm të nënshkruesve të saj. Gjatë periudhës së raportimit, një ministri e qeverisë e anashkaloi tërësisht MKR-në dhe u përpoq të hiqte në mënyrë të njëanshme licensat e strehëzave të tri OJQ-ve nënshkruese që ofrojnë strehim dhe asistencë për viktimat e trafikimit; Ministria e prapësoi urdhëresën pas ndërhyrjeve të përsëritura nga komuniteti ndërkombëtar. Këto kërcënime për mbyllje dëmtuan besimin dhe partneritetin mes qeverisë dhe shoqërisë civile për mbrojtjen e rasteve të viktimave të trafikimit. Gjatë periudhës së raportimit, qeveria finalizoi ligjin që ofron asistencë për riintegrimin e viktimave dhe siguroi pagesë prej 30 dollarë në muaj për çdo viktimë, pasi ato largoheshin nga strehëza. Qeveria, megjithatë, duhet të derdhë zyrtarisht fondet e premtuara për OJQ-të që ofrojnë përkujdes dhe asistencë kritike për viktimat në strehëzat. Qeveria vazhdoi të financonte dhe administronte një qendër pritjeje që strehonte si viktimat e trafikimit ashtu edhe migrantë të huaj të çrregullt të identifikuar brenda territorit të Shqipërisë; liria e lëvizjes e viktimave shpesh kufizohet në këtë qendër. Për më tepër, i mungon kapaciteti për të ofruar asistencë të plotë riintegrimi për viktimat. Qeveria nuk penalizoi viktimat për akte të paligjshme të kryera në lidhje me të qenurit e tyre të trafikuara dhe, me ligj, ofroi alternativa ligjore ndaj largimit të viktimave të huaja në vende ku mund të përballeshin me vështirësi apo ndëshkime, edhe pse asnjë viktimë nuk mori alternativa të tilla ligjore gjatë periudhës së raportimit. Qeveria nxiti viktimat që të merrnin pjesë në hetimet dhe ndjekjen penale të kundravajtësve të trafikimit. Megjithatë, viktimat shpesh refuzuan të dëshmonin si pasojë e frikës prej hakmarrjes së trafikuesve. Shpesh ekziston nevoja për mbrotje pasi nis një proces gjyqësor. Në disa raste, policia nuk ofroi mbrojtje për viktimat e trafikimit kur dëshmonin kundër trafikuesve të tyre, duke i detyruar viktimat të mbështeteshin ekskluzivisht tek OJQ-të për mbrojtje. Prokuroria e Përgjithshme nuk kërkoi mbrojtje të dëshmitarëve për viktimat e trafikimit gjatë vitit 2010. Për të përmirësuar mbrojtjen, Prokurori i Përgjithshëm caktoi një avokat viktimë-dëshmitar për të ndihmuar në shërbimin e nevojave të viktimave dhe dy prokurorëve të specializuar për çështjet e trafikimit.
Parandalimi
Në muajin shkurt 2011, qeveria miratoi një strategji të re kombëtare anti-trafikimit për vitet 2011-2013 me kontributin e shoqërisë civile dhe vazhdoi organizimin e fushatave informuese dhe edukative për të parandaluar trafikimin. Qeveria vazhdoi të monitorojë përpjekjet e saj anti-trafikim përmes Zyrës së Koordinatorit Kombëtar, e cila botoi një raport vjetor për trafikimin në muajin tetor 2010, që pasqyronte transparencë modeste të politikave dhe aktiviteteve të saj anti-trafikim. Grupet rajonale të punës anti-trafikim nuk ishin tërësisht funksionale, nuk përfshinë gjithmonë shoqërinë civile, dhe u mungonte drejtimi dhe ndihma e nevojshme. Mungesa e vullnetit politik dhe keqkuptimet mbi trafikimin në disa agjenci qeveritare vazhdoi të jetë një pengesë domethënëse për organizimin e një përgjigjeje institucionale për trafikimin në Shqipëri. Qeveria vazhdoi të financonte linjën kombëtare 24-orëshe falas për viktimat dhe viktimat e mundshme të trafikimit.
a.q/NOA