Tiranë, 29 qershor 2011, NOA- Partia Socialiste nëpërmjet deputetit Arben Ahmetaj theksoi se ndan shqetësimin së bashku me Fondin Monetar Ndërkombëtar për situatën e vështirë ekonomike të Shqipërisë.
Sipas tij, konkluzionet e FMN konfirmojnë njëherazi se menaxhimi korruptiv i ekonomisë dhe financave publike janë shkaku i parë i varfërisë dhe pabarazisë të qytetarit shqiptar dhe përkeqësimit ekonomik.
“Ka dështuar e ashtuquajtura politikë ekonomike e qeverisë shqiptare dhe këtë e konfirmon FMN. Ka dështuar politika fiskale. Taksa e sheshtë jo vetëm që nuk ka ndihmuar biznesin dhe situatën ekonomiko-financiare në vend, por ka rritur ndjeshëm pabarazinë e qytetarëve. Vetëm së fundmi statistikat tregojnë se 4% e shqiptarëve zotërojnë 55 % të depozitave bankare”, u shpreh Ahmetaj.
Më tej ai shtoi se nga konkluzionet e FMN konfirmohet në mënyrë të drejtpërdrejtë rënia dhe pabarazia e standardeve të jetesës për qytetarin e zakonshëm, duke theksuar se Kryeministri Berisha tallet sërish me shqiptarët kur shprehet se paga mesatare është 520 dollarë.
Në kundërshtim të deklaratës së kreut të qeverisë, deputeti socialist reagoi duke thënë se në bazë të referimit të shifrave të INSTAT paga mesatare bruto është 15 % më e ulët.
Në vijim ai i cilësoi politikat e ndjekura nga qeveria si të dështuara dhe se vetëlavdërimet për një qeveri në dietë kanë qenë një tallje publike me qytetarin shqiptar.
Ahmetaj deklaroi se, “Kjo qeveri nuk është e vogël dhe në dietë, por përkundrazi, kjo qeveri është e fryrë artificialisht, madje edhe për qëllime elektorale. 70 lekë në çdo 100 lekë të mbledhura shkojnë vetëm për të mbajtur në këmbë qeverinë, pra koncepti i qeverisë në dietë është kthyer në konceptin e qeverisë dhe qeveritarëve të dhjamosur dhe qytetarit forcërisht në dietë. Konkluzionet e FMN kanë ngritur alarmin. Të njëjtin alarm që ka ngritur prej kohësh opozita për sa i përket nivelit ekstrem të borxhit publik që i rëndon çdo ditë e më tepër qytetarëve në standardet e veta të jetesës”.
Sipas tij i vetmi që refuzon këtë situatë është kreu i qeverisë Sali Berisha, i cili refuzon me kokëfortësi e papërgjegjshmëri të marrë parasysh shqetësimet e FMN dhe të ngulë këmbë në politikën piramidale duke e thelluar edhe më tej kaosin ekonomik.
Ahmetaj bëri një paralelizëm me vitin 1996 duke theksuar se njëlloj si në atë vit, Kryeministri mbyllë veshët e sytë, jo vetëm përballë realitetit të rënduar ekonomik, jo vetëm përballë alarmit që ka ngritur opozita, por edhe përballë këshillave e shqetësimeve të organizmave si FMN.
a.y/NOA