Tiranë, 29 qershor 2011 NOA/ Albana Qehajaj- Bashkimi Europian i bën thirrje politikës shqiptare të vendosë vullnetin dhe dialogun politik në themel të procesit integrues të vendit. Drejtuesi i Zyrës së Komisionit Europian në Shqipëri, ambasador Etore Sequi, tha sot se Bashkimi Europian është shumë i angazhuar për të ndihmuar Shqipërinë, por gjithçka është në duart e vetë shqiptarëve.
Në një takim me studentë të Universitetit të Tiranës, të organizuar nga Instituti Shqiptar për Studime Ndërkombëtare, Sequi tha se “Ky është vendi juaj, kjo është e ardhmja juaj, dhe kjo është përgjegjësia juaj.”
“Shqipëria nevojitet të ketë më shumë besim tek vetja - tha ambasadori Seki. - Kur dikush nuk beson tek vetja, as të tjerët nuk besojnë tek ai. Komisioneri Fyle ka thënë se nuk është ai që po kërkon të antarësohet në BE, sepse ai tashmë është anëtar – tha kreu i BE në Tiranë - Pa vullnet politik, pa dialog politik procesi i integrimit është si një biçikletë pa timon që nuk mund të shkojë shumë larg. BE nuk e detyron dot Shqipërinë që të ketë vullnet të mirë. Ky është vendi juaj, përgjegjësia juaj. BE mund të japë disa arsye bindëse se përse integrimi është i nevojshëm, por më në fund përsëri është vendimi juaj.”
Shqipëria sapo ka dalë nga zgjedhje të kontesuara vendore, ndërsa dy vjet më parë u kundërshtua edhe rezultati i zgjedhjeve të përgjithshme, çka ka bërë që prej vitesh vendi të përfshihet nga një situatë e tensionuar politike.
a.q/NOA