English

Berisha fton biznesmenët izraelitë: Investoni në Shqipëri, kemi tregun më të lirë

Tiranë, 29 qershor, 2011, NOA – Kryeministri Sali Berisha prezantoi për biznesmenët izraelitë potencialet e mëdha në energji, turizëm e bujqësi duke i ftuar ata të investojnë në Shqipëri, vendin me tregun më të lirë në Europë, ku kontrata me qera e pronave publike është vetëm 1 euro.

Kryeministri mbajti një fjalim tërësisht në anglisht në forumin e biznesit Shqipëri-Izrael që po mbahet në Tiranë me rastin e vizitës së zëvendëskryeministrit izraelit, Avigdor Lieberman.

Shefi i ekzekutivit i ftoi biznesmenët izraelitë të investojnë dhe përfitojnë në potencialet energjetike në Shqipëri, duke ripërsëritur se tregu në Shqipëri është shumë i lirë.

Kreu i qeverisë solli në vëmendje potencialet e panumërta turistike në Shqipëri, detare e malore.

Zoti Berisha theksoi se miqësia mes dy vendeve, Izraelit dhe Shqipërisë është shumë e rëndësishme, duke u dhënë mbështetjen investitorëve izraelitë se qeveria e tij do t’i përkrahë që investimet e tyre në Shqipëri t’i shndërrojnë në histori suksesi.

“Kemi ndërtuar edhe 8000 km rrugë, vijojmë të punojmë në këtë drejtim me qëllim që Shqipëria të arrihet nga Tirana në çdo cep të saj. I gjithë vendi është në ndërtim. Kompanitë izraelite janë mëse të mirëpritura”, tha kryeministri duke theksuar se “po punojmë fort për të shtrirë kudo infrastrukturën e duhur”.

Ai evidentoi edhe dy projektet kombëtare në bujqësi siç janë projekti i ullirit dhe ai i mbjelljes së drurëve arrorë.

“Janë mbjellë më shumë se 10 milion pemë ulliri, dhe kompanitë tuaja mund të përfitojnë duke marrë me qera tokat me një çmim shumë të lirë. Kemi një sipërfaqe jashtëzakonisht të madhe. Këto janë vetëm disa nga potencialet tona dhe keni një mik të vërtetë, sepse qeveria shqiptare ju mbështet që ju t’i shndërroni përpjekjet në një histori suksesi”, garantoi kryeministri Berisha.

mit/NOA

KOMENTE