Tiranë, 29 qershor 2011, NOA- Kryeministri Berisha gjatë ditës së sotme ka pritur në një takim ministrin e Jashtëm të Izraelit, Avigdor Lieberman.
Lieberman i tha kreut të qeverisë se Izraeli, vlerëson marrëdhëniet miqësore me Shqipërinë për lidhjet dhe mbështetjen tradicionale të shqiptarëve ndaj komunitetit hebre.
Në vijim u rikonfirmua vullneti i të dy qeverive dhe vendeve për t’i thelluar e konsoliduar më tej marrëdhëniet shumë të mira politike, si dhe për të zgjeruar e thelluar bashkëpunimin ekonomik e të gjithanshëm në dobi të interesit më të mirë të të dy popujve.
Një tjetër çështje në të cilën u fokusua takimi ishte edhe shkëmbimi i eksperiencave në fushën e arsimit, kërkimit shkencor e zhvillimit teknologjik, në Teknologjinë e Komunikimit dhe Informacionit (ICT), në fushën e mjekësisë, si edhe thithja e investimeve izraelite në fusha si ajo e turizmit, bujqësisë, energjetikës.
Nga ana e tij Kryeministri Berisha i shprehu mirënjohjen mysafirit izraelit për nxitjen e bizneseve dhe investitorëve izraelitë për të ardhur dhe investuar në Shqipëri.
Sakaq ai shtoi se si shkak i reformave të thella e të gjithanshme të ndërmarra nga qeveria shqiptare, është bërë e mundur një zhvillim i shpejtë dhe i qëndrueshëm ekonomik për krijimin e klimës më të favorshme për biznes e investime.
Lidhur me investimet e biznesit izraelit në vendin tonë, Kryeministri Berisha e garantoi zotin Lieberman se investitorët izraelitë do të kenë në Shqipëri mbështetjen e plotë të qeverisë dhe institucioneve shqiptare, në mënyrë që investimet e tyre të shndërrohen në sukses për ta dhe për Shqipërinë.
a.y/NOA