Nga Mero Baze
Ishte e qartë për të gjithë se objektivi politik i këtyre zgjedhjeve ishte Edi Rama. Pas dy vitesh kontestime dhe krize politike, të gjitha energjitë e pushtetit dhe infrastrukturës antiopozitare në vend u përqendruan në goditjen e tij. Eliminimi i tij nga skena politike lehtësonte shumë punë. Së pari mbaronte kontestimi për zgjedhjet e vitit 2009, së dyti dërrmohej opozita dhe futej në një spirale lufte pa fund brenda saj dhe së fundmi legalizoheshin disa përbindësha moralë të shfaqur në jetën politike shqiptare, siç ishin vrasjet politike dhe vjedhjet në emër të pushtetit, ndaj të cilave opozita qëndroi fort duke pasur parasysh vrasjet 21 Janarit prej Bashës dhe Berishës, vrasjet për shkak të korrupsionit në Gërdec dhe vjedhjet për shkak të pushtetit të filmuara me zë dhe figurë nga zëvendëskryeministri Ilir Meta. Të gjitha këto llogari u tronditën nga rezultati i 8 majit. Opozita arriti të marrë kontrollin mbi gati dy të tretat e Shqipërisë duke fituar bashkitë më të mëdha të vendit dhe pjesën më të ndriçuar të saj. Zgjedhjet për opozitën i ngjajnë pak a shumë hartës elektorale të 22 marsit 1992 ku ish Partia e Punës fitoi vetëm në disa fshatra të thellë dhe të frikësuar, ndërsa opozita në qytetet kryesore dhe pjesën e ndriçuar të vendit. Objektivi themelor për eliminimin e Edi Ramës si lider opozite ra dy ditë pas zgjedhjeve pasi kandidatët e tij morën kontrollin mbi gjithë vendin.
Pas kësaj Berisha u përqendrua tek fitorja personale e Edi Ramës në Tiranë. Më 14 Maj mbasdite pasi gjithë Shqipëria po mbante frymën para ekraneve të shihte fituesin, Sali Berisha filloi projektin për çmontimin e kësaj fitoreje. Mbasditen e 14 Majit ai kërkoi fillimisht një rillogaritje rezultati për shkak të ndonjë gabimi njerëzor, por pasi pa që votat ishin mbledhur në rregull, injektoi rreth 90 vota në kutitë që ishin ende në numërim dhe një ditë më pas mediet e tij “zbuluan” fiks rreth 100 vota për Lulëzim Bashën në disa kuti që po numëroheshin. Me atë ishull manipulimi ai udhëhoqi një proces rraskapitës dhe vandal rinumërimi, që jo vetëm rrëzoi rezultatin e fituesit, por rrënoi dhe shpresat e shqiptarëve për zgjedhje të lira. Ai arriti ta gozhdonte Edi Ramën tek fitorja e tij, në përpjekje për t’i errësuar fitoren kombëtare dhe mbi të gjitha sfidimin që i bëri objektivit të tij për ta eliminuar politikisht. Si një mjeshtër i vulgaritetit dhe marifeteve elektorale, ai ia ka arritur që pas gati 50 ditësh pas zgjedhjeve të harrojë humbjen e vet dhe të flasë për një humbje të Edi Ramës.
Objektivi i tij i tretë po ashtu po gjeneron shpresë të marrë jetë. Nga këqyrja e filmimeve të votave në tavolinat e votimit vërehet qartë një “dushk” votash për LSI në tavolinat e numërimit për të mbuluar namin e keq se gjoja shqiptarët nuk votojnë për ata që vjedhin. Vota të PD-së, të LZHK, të Legalitetit, por ndonjë herë dhe të republikanëve, kanë shkuar për të zbukuruar fitoren e Ilir Metës me qëllim që në këtë vend të goditen standardi moral i hakmarrjes popullore ndaj politikanëve që vjedhin. E njëjta fryrje po bëhet dhe për Lulëzim Bashën. Edhe pse ai është kandidati që i ka dhënë më pak vota PD-së se kushdo tjetër në raport me koalicionin që ka, zgjerimi i rezultatit të tij në emër të koalicionit dhe industrializimit të manipulimit, po injektohet si përgjigje miratuese që shqiptarët i kanë dhënë qoftë dhe katër vrasjeve të tij të fundit politike, pa llogaritur akuzën e pagjykuar për 220 milionë dollarë.
Pasi dështoi në objektivin e tij themelor për eliminimin e liderit të opozitës dhe në objektivat për pastrimin e politikës së mbrapshtë të vrasjeve dhe vjedhjeve, Berisha po përpiqet të flasë tashmë për humbje të kundërshtarit. Tani që Edi Rama i ngeli sërish përballë Berishës, dhe jo vetëm me gjatësi, por dhe shumë i shtrirë në gjithë vendin, Berisha po përpiqet të përfitojë nga marifetet që kanë bërë me votat e tij në Tiranë apo Dushkun e LSI me votat e partive të tjera. Morali që do të konsolidojë Berisha pas kësaj është se shqiptarët votuan ata që vranë, votuan ata që vodhën dhe nuk votuan ata që u qëndruan përballë vjedhjeve dhe vrasjeve. Në të vërtetë shqiptarët kanë votuar opozitën dhe i kanë besuar asaj qeverisjen e Shqipërisë. Përpjekja e neveritshme e Berishës për të përdorur kështjellat e mediokritetit në gazetarinë shqiptare të flasin për humbje të opozitës dhe fitore të vrasësve dhe hajdutëve, është po aq e neveritshme sa në vitin 2000, apo 2001 ku po këta mediokër banalë flisnin për humbje të opozitës pasi e vidhnin dhe masakronin me policë, për ikje të lidershipit të opozitës, bile dhe për fantazi të tilla si ajo e Blendi Fevziut që në vend të Berishës në PD të shkonte Edi Rama (Blendi Fevziu, revista Klan 2001).
Kjo është një betejë e dështuar edhe pse në këtë komedi honoraret që paguhen fillojnë nga Uashingtoni deri në Tiranë. Përpos faktit që Shqipëria do qeveriset nga opozita, Berisha do të vazhdojë të ketë një opozitë të fortë përballë, një opozitë, e cila nuk e ka fuqinë as tek mediet e blera, as tek biznesmenët e pushtetit, as tek fantocët e pushtetit, por tek fryma antiqeveritare që është në rrugë. Berisha e ka problem këtë opozitë pikërisht pse po e dërrmon dhe po e katandis një plak të rrënuar që shëtit i vetëm me çanta dhe pare cash duke bërë pazar me diktatorë satrap të neveritshëm të tipit Aliev. Falë kësaj opozite dhe problemeve të ngritura prej saj, ne sot jemi të ndërgjegjshëm se Berisha dhe Basha rrënuan ekonominë e vendit për një segment rrugor 60 km, duke na marr 1 miliard euro për xhepat e tyre, duke mos na kthyer asgjë si kompensim në zhvillimin ekonomik. Falë kësaj opozite ne dimë sot se Familja Berisha është e zhytur kokë e këmbë në histori marramendëse përfitimesh nga mafia ish jugosllave që është ulur këmbëkryq në Tiranë, nga bota arabe që po rri me thes të hapur për të shpëtuar pushtetin këtij plaku të rrëgjuar dhe nga mafia lindore që po privatizojnë Shqipërinë falas për shkak të krizës ku na futi ky dështak. Falë kësaj opozite ne njohim tani ata që bënë Gërdecin, ata që bënë 21 janarin dhe ata që kanë hyrë në pushtet për të numëruar para kamerave për 5 minuta miliona euro pazare. Falë kësaj opozite ne kemi shpresë që fëmijët e Ziver Veizit, Hekuran Dodës, Faik Myrtajt dhe Aleks Nikës, të mos rriten si fëmijë të dorës së dytë në raport me fëmijët e Lulëzim Bashës dhe Sali Berishës që i lanë jetimë. Pikërisht pse kjo opozitë ishte e tillë, sot Berisha kërkon me çdo kusht eliminimin e saj. Gabimi i tij është që ka vënë të bëjnë këtë punë ata që të tjerët dikur përdornin kundër tij po për këtë punë. Por sivc e thotë një fjalë e urtë popullore paksa banale, njerëz të tillë t’i kesh miq të prishin punë, t’i kesh armiq të …
*Qëndrimet e shprehura në këtë artikull janë personale dhe nuk prezantojnë domosdoshmërisht vijën editoriale të NOA