English

Duket që s’jemi

Serbisë sigurisht se i pëlqen që Kosova vetëm të duket dhe të mos jetë, jo pse i pëlqen që Kosova të duket por pse i pëlqen që ajo të mos jetë. Dhe, mbase i pëlqen ca edhe si duket Kosova në formën e këtij delegacioni të kryesuar nga Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri që mburret për konstruktivitet

Nga Albin Kurti

Njëri ndër filozofët më radikalë sot, Alain Badiou, thekson që qenia është univoke ndërsa ekzistenca është ekuivoke. Ai niset nga Libri Gamma, i katërti me radhë nga 14 sosh sa janë te ‘Metafizika’ e Aristotelit, që thotë se mendimi në përgjithësi i nënshtrohet tri principeve themelore. Së pari, kemi principin e identitetit: formalisht, një fjali është ekuivalente me vetveten. Së dyti, kemi principin e moskundërthënies: është e pamundur që njëkohësisht dhe në të njëjtin kontekst ta pohojmë propozicionin P dhe jo-P. Dhe, së treti, kemi principin e mesit të përjashtuar: te një propozicion P, ose P është e vërtetë, ose P është e pavërtetë, pra, ose P është e vërtetë ose jo-P është e vërtetë dhe nuk mund të ketë mundësi të tretë. Prej këtu rrjedh principi i mohimit të dyfishtë: mohimi i mohimit është afirmim.

Këto principe, thotë Badiou, e përkufizojnë mohimin klasik që ndodhet në thelb të logjikës klasike, për të vazhduar se mohimi klasik nuk është e vetmja mundësi logjike lidhur me mohimin. Më tutje, mund t’i zhvillojmë marrëdhëniet e mundshme të mohimit me principin e kundërthënies dhe me atë të mesit të përjashtuar dhe kësisoj i fitojmë katër mundësi. Së pari, mohimi i nënshtrohet të dy principeve dhe kemi të bëjmë me logjikën klasike. Mohimi i propozicionit P e përjashton jo vetëm këtë propozicion por edhe çfarëdo përmbajtje tjetër të këtij propozicioni. Së dyti, mohimi i nënshtrohet principit të kundërthënies por jo edhe atij të mesit të përjashtuar. Mohimi i propozicionit P e përjashton atë, por jo edhe mundësitë e tjera që mund të ndodhen diku midis P dhe jo-P. Kjo logjikë quhet intuitive për dallim prej asaj klasike dhe është krijuar nga Luitzen Egbertus Jan Brouwerndërkaq është formalizuar nga studenti i tij Arend Heyting. Së treti, mohimi i P eliminon hapsirën midis P dhe jo-P, por jo edhe vetë propozicionin P. Kështu, P nuk shtypet nga mohimi që i bëhet dhe, sikurse te dialektika e Hegelit, P ndodhet brenda mohimit të P. Kjo logjikë quhet parakonsistente dhe është krijuar nga Newton Da Costa që vjen prej shkollës së Brazilit. Së katërti, mohimi nuk i nënshtrohet as principit të kundërthënies dhe as atij të mesit të përjashtuar. Këtu kemi shpërbërje të plotë të fuqisë së mohimit në emër të mohimit dhe bëhet fjalë për kornizë logjike jokonsistente.

Duke shkuar prej mundësisë së parë te e treta fuqia e mohimit bëhet gjithnjë e më e dobët kurse te mundësia e katërt (që s’është e tillë për shkak se) fuqia e mohimit zhduket plotësisht (tashmë s’kemi të bëjmë me logjikë). Për Badiou-në qenia i përket logjikës klasike, pra një gjë ose është ose nuk është dhe kurrsesi ndryshe, ndërsa ekzistenca mund t’i përkasë edhe logjikës intuitive ose asaj parakonsistente duke qenë se një objekt në botë mund të ketë shkallë të ndryshme të dukjes e shfaqjes. Qenia e një gjëje është ajo që është dhe në mënyrë absolute nuk është ajo që nuk është. Qenia i përket domenit të logjikës klasike me ç’rast mohimi i nënshtrohet edhe principit të kontradiktës edhe atij të ndërmjetësit të përjashtuar. Në anën tjetër, ekzistenca e një objekti mund të jetë e ndryshme meqë ai mund të shfaqet më shumë ose më pak, në nuanca të ndryshme prej dritës së plotë e deri te hija errësuese. Ashtu qysh kemi pafund gradë të intensitetit të dukjes, kemi pafund gradë të ekzistencës. Natyrisht që edhe këtu mund të themi që një objekt ekziston ose jo dhe logjika klasike është sërish e vlefshme, mirëpo po ashtu mund të themi që njëherë kur diçka ekziston kjo mund të jetë pak, shumë, mesatarisht etj. – dmth. principi i mesit të përjashtuar nuk është medoemos i vlefshëm. Për dallim nga logjika klasike e qenies këtu kemi të bëjmë me logjikën intuitive të ekzistencës.

Në bisedimet që po zhvillohen në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dihet që Serbia e pranon Qeverinë e Kosovës porse jo edhe pavarësinë e Kosovës. Pra, Serbia i pranon përfaqësuesit dialogues të popullit të Kosovës por jo edhe vullnetin e popullit të Kosovës. Qëndrim të njëjtë mban edhe zyra e Baroneshës Ashton si ndërmjetësuese në këto bisedime meqenëse BE-ja nuk e njeh Kosovën si shtet të pavarur pasi që pesë shtete anëtare të saj nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Sëkëndejmi, mund të thuhet që shteti i pavarur i Kosovës dhe vullneti i popullit paraqesin qenien që konsiston te logjika klasike ndërkaq qeveria e Kosovës dhe delegacioni përfaqësues kosovar në bisedime janë sikur ekzistenca e cila përkon me logjikën intuitive me shkallë të ndryshme të intensitetit të dukjes. Në dialogun e Brukselit, Serbia e pranon qeverinë e Kosovës që është në pushtet si ekzistencë dhe na e mohon pavarësinë e shtetit si qenie; ajo thotë që ne ekzistojmë por nuk jemi. Disi ngjashëm siç pat vepruar Izraeli me Organizatën Çlirimtare Palestineze (OÇP) të udhëhequr nga Arafati në bisedimet e vitit 1993 që shpien te marrëveshja e paqes së Oslos nga ai vit: Izraeli e njihte OÇP-në si përfaqësuese të popullit palestinez por jo edhe popullin si vullnet të tij dhe as Palestinën si shtet. Edhe Serbia i pranon qeveritarët e Kosovës si përfaqësues të popullit, si ata që shfaqen prej popullit, por jo edhe vetë popullin i cili mohohet duke mos ia pranuar vullnetin dhe shtetin e tij. Kjo pikëpamje e Serbisë jo vetëm që tolerohet edhe lejohet por ajo edhe po i organizon këto bisedime në Bruksel.

Serbisë sigurisht se i pëlqen që Kosova vetëm të duket dhe të mos jetë, jo pse i pëlqen që Kosova të duket por pse i pëlqen që ajo të mos jetë. Dhe, mbase i pëlqen ca edhe si duket Kosova në formën e këtij delegacioni të kryesuar nga Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri që mburret për konstruktivitet (sic.). Madje, Kosovës po i intensifikohet dukja përmes këtyre bisedimeve me Serbinë sepse po forcohet Qeveria e Kosovës si ekzistencë gjithnjë në llogari të mohimit të pavarësisë së shtetit të Kosovës dhe vullnetit të popullit të tij si qenie. Sa herë që i teket Serbisë Qeveria e Kosovës i shkon në bisedime. Pra, sa herë që i nevojitet Serbisë ajo e sjell Kosovën në dukje (si Qeveri) duke ia mohuar qenien (si pavarësi). Zaten, para se të jetë problemi te temat e dialogut me Serbinë, problemi është se dialogu është tema sa herë që don Serbia. Martin Heiddeger thoshte që Zoti është, por nuk ekziston. Për Kosovën në këto bisedime mund të thuhet e kundërta: ajo ekziston, por nuk është.

Edhe aksioni protestues kundër Drejtorit Politik të MPJ-së së Serbisë, Borislav Stefanoviq, kur ai e vizitoi Kosovën me 12 maj, mund të lexohet përmes kësaj logjike: aksioni kundërshtues yni ishte dëshmi e qenies mospajtuese kundër dukjes mikpritëse (të Qeverisë së Kosovës). Sepse, s’kemi pse vetëm dukemi mu atëherë kur duhet të jemi, apo jo?

KOMENTE