Tiranë, 29 qershor 2011, NOA- Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani në një konferencë për mediat deklaroi se inflacioni kap shifrën 4.2% në muajin maj, duke shtuar se rritja e inflacionit është në shkallë botërore.
Më tej ai tha se shkak për këtë është rritja e çmimeve të lëndës së parë, por se rritja e inflacionit është brenda objektivave të Bankës së Shqipërisë.
Fullani shtoi se inflacioni ka prekur agjentët e ekonomisë por se gjatë muajve të parë të vitit ka pasur rritje ekonomike.
Sipas tij, ambienti ekonomik pavarësisht të gjithave ofron kushtet për rritjen e investimeve në vend, duke theksuar se monedha vendase është e qëndrueshme, por se kursi i këmbimit u ndikua nga ekonomia e jashtme.
Në përfundim ai shtoi se norma bazë e interesit nuk do të ndryshojë dhe se do të jetë 5.25%.
Kjo deklaratë e tij erdhi pas mbledhjes së këshillit mbikqyrës për muajin maj.
a.y/NOA