Budva, 29 qershor 2011, NOA- Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Shqipërisë Edmond Haxhinasto mori pjesë sot në Ministerialin e SEECP, në Budva, të Malit të Zi.
Në takimin e ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të Nismës së SEECP (Procesi i Bashkëpunimit të Europës Juglindore), Haxhinasto theksoi rëndësinë e madhe që ka kjo nismë për bashkëpunimin rajonal dhe për forcimin e paqes, stabilitetit e prosperitetit të rajonit.
Sipas tij, objektivat e saj përputhen plotësisht me ato të integrimit europian, proces ku janë angazhuar gjithë vendet e rajonit .
Haxhinasto nënvizoi nevojën për konkretizimin e bashkëpunimit rajonal në fusha të tilla si: infrastruktura rrugore dhe energjetike, shkëmbimet tregtare, siguria, etj.
Më tej ai tha se për zbatimin e marrëveshjeve të tregtisë së lirë nevojitet pjesëmarrja e të gjithë vendeve të rajonit, përfshirë këtu edhe Kosovën.
Ministri shqiptar u shpreh se, Ballkani Perendimor, ndodhet në një fazë të rëndësishme drejt integrimit europian, duke njohur njëkohësisht transformime pozitive, por shtoi se ky proces bashkëpunimi dhe integrimi, duhet të jetë gjithëpërfshirës, si një vlerë e rëndësishme e kësaj nisme rajonale dhe e gjithë bashkëpunimit rajonal.
Sakaq në kuadër të lëvizjes së lirë të qytetarëve të Ballkanit Perëndimor, ai nënvizoi se lëvizja vetëm me karta identiteti biometrike në vendet e rajonit, mbetet një prioritet i Shqipërisë në kuadër të bashkëpunimit gjithëpërfshirës rajonal.
Në përfundim Haxhinasto siguroi se Shqipëria do të vazhdojë të jetë një aktor aktiv dhe i besueshëm, në realizmin e axhendave të përbashkëta të bashkëpunimit rajonal dhe të integrimit europian.
a.y/NOA