Tiranë, 29 qershor 2011, NOA – Pas apelit të shefit të FMN-së Gerwin Bell për ulje të shpenzimeve në buxhet dhe ulje të borxhit publik në masën 50 përqind një këshillë e drejtpërdrejtë i erdhi sot kryeministrit Sali Berisha nga zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme i Izraelit, Avigdor Lieberman, i cili ndodhet për vizitë zyrtare në Tiranë.
Lieberman e këshilloi qeverinë që të jetë konservatore për tregun financiar në vend pasi kjo do t’i shërbejë ruajtjes së stabilitetit të ekonomisë shqiptare.
Zëvendëskryeministri mbajti një fjalim në forumin e biznesit Shqipëri-Izrael pak pas fjalës përshëndetëse të kryeministrit Berisha.
“Ju duhet të jeni shumë të kujdesshëm me sistemin financiar, duhet të jeni shumë konservatorë për tregun financiar, që të ruani stabilitetin e ekonomisë, por edhe të shënoni zhvillime të reja në fushat të tjera të ekonomisë”, u shpreh zëvendëskryeministri izraelit Avigdor Lieberman.
Zoti Lieberman e mirëpriti ftesën e kryeministrit Berisha për investitorët izraelitë, duke theksuar se “Shqipëria duket vend tërheqës për investime”.
Lieberman bëri me dije se Izraeli do të investojë në të ardhmen në Shqipëri.
Ai foli për investime në turizëm, duke cilësuar se “Shqipëria është e bekuar për pozicionin gjeografik, ndaj kërkesa juaj, do të realizohet në të ardhmen”, iu përgjigj kryeministrit Berisha, zëvendëskryeministri i Izraelit.
“Ju jeni të bekuar me male, shumë ujë, bregdet, keni mundësi të mëdha në turizëm. Besoj se në një të ardhme të afërt do kemi rezultate shumë të mira në këtë sektor”, tha Lieberman.
mit/NOA