English

Presidenti Topi dekoron pas vdekjes Sokol Sokolin dhe Tom Ndojën

Tiranë, 29 qershor 2011, NOA- Presidenti i vendit Bamir Topi gjatë ditës së sotme dekoroi me “Medaljen e Artë të Shqiponjës”, pas vdekjes, Sokol Sokolin dhe Tom Ndojën.

Dy të dekoruarit u ekzekutuan nga regjimi komunist si organizatorët kryesorë të revoltës së të burgosurve politikë në burgun famëkeq të “Qafë-Barit”, në vitin 1984.

Gjatë ceremonisë së dekorimit ishin të pranishëm familjarë , ish- të përndjekur politikë dhe anëtarëve të Kabinetit të Presidentit.

Gjatë fjalës së mbajtur me këtë rast Presidenti Topi u shpreh se, “Sot po nderohen dy qytetarë fisnikë, dy malësorë patriotë, dy emra që me aktet e tyre të trimërisë dhe rezistencës kanë zënë vend në memorien tonë kombëtare. Sokol Sokoli dhe Tom Ndoja, të cilët nuk janë thjesht martirë të demokracisë, ata janë më shumë, janë simbole qëndrese, simbole kurajoje, janë simbole të disidencës politike”.

Sipas tij, revolta e “Qafë Barit” dhe shtresa e ish- të përndjekurve politikë i treguan diktaturës se ajo ka burgosur trupat, por jo mendjen dhe shpirtin e tyre.

Më tej ai bëri një apel ndaj institucioneve shtetërore dhe organet e drejtësisë që të bëhet gjithçka për të gjetur, identifikuar dhe nderuar ashtu siç duhet çdo person të zhdukur dhe individ të ekzekutuar nën regjimin komunist.

Presidenti bëri apel edhe ndaj të gjithë atyre personave, të cilët kanë dijeni për vendndodhjen e trupave të varrosur pa adresë, që duke dëshmuar akte pendese dhe humanizmi të ndihmojnë familjet e tyre duke u treguar vendndodhjen e saktë.

a.y/NOA

KOMENTE