English

Reagon PDIU: 108 viktimat e Otrantos ende presin drejtësi

Tiranë, 29 qershor 2011, NOA- Partia për Drejtësi Integrim dhe Unitet ka reaguar pas vendimit të dhënë për dy kapitenët e anijeve në tragjedinë e Otrantos.

Pas vendimit të Gjykatës së Apelit në Leçe, në lidhje me tragjedinë e Otrantos, deputeti i Vlorës i PDIU-së, Dashamir Tahiri, në emër të Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet deklaroi se e drejta për këtë tragjedi të madhe kombëtare nuk është vendosur ende dhe se PDIU do të mbështesë nismën e familjarëve të viktimave të tragjedisë për ta çuar çështjen në Gjykatën e Strasburgut.

“Vendimi i sotëm i Gjykatës së Apelit në Leçe që uli dënimin ndaj shkaktarëve të kësaj tragjedie me përmasa kombëtare është një njollë e zezë për të drejtat universale të njeriut. PDIU gjendet pranë familjarëve të viktimave të kësaj tragjedie në këto momente dhe i bën thirrje shtetit shqiptar që të gjendet po ashtu pranë njerëzve që kanë humbur të afërmit e tyre në këtë tragjedi”, u shpreh Tahiri.

Më tej ai tha se Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet do të jetë në krahë nismës së familjarëve të viktimave për të çuar çështjen në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg dhe do të mbështesë me çdo mënyrë këtë nismë, duke shtuar se shpirtrat e 108 bashkëkombësve të cilët humbën jetën në këtë tragjedi ende presin drejtësi.

Në qëndrimin e kësaj partie thuhet se për PDIU, tragjedia e Otrantos është një tragjedi kombëtare, ku 108 shqiptarë humbën jetën kur anija “Kateri i Radës” u fundos pas përplasjes me anijen “Sibilla”.

a.y/NOA

KOMENTE