Shpenzimet e sektorit publik kanë qenë një nxitës i rëndësishëm i aktivitetit ekonomik në muajt e parë të këtij viti. Gjatë periudhës janar – maj, këto shpenzime janë rritur me 10.3% në terma vjetorë, ndërkohë që të ardhurat fiskale janë rritur me ritme të ulëta, në reflektim të kërkesës së ngadaltë të sektorit privat të ekonomisë. Këto zhvillime janë pasqyruar në një deficit buxhetor rreth 1.7 herë më të lartë në krahasim me një vit më parë. Ritmet e rritjes së shpenzimeve kanë ardhur në rënie në tremujorin e dytë
Nga Ardian Fullani
Guvernator i Bankës së Shqipërisë
Inflacioni vjetor rezultoi 4.2% në muajin maj, duke qëndruar pranë vlerave të shënuara në muajt e mëparshëm të vitit. Nën presionin e rritjes së çmimeve të huaja, çmimet e mallrave të grupeve ‘ushqime të përpunuara’ dhe ‘mallra të konsumit jo-ushqimor’, në të cilin bën pjesë edhe nafta, kanë qenë kontribuuesit kryesor në vlerën e inflacionit. Ndërkohë, efekti sezonal i rritjes së ofertës vendase të frutave dhe perimeve është reflektuar në një kontribut më të ulët të grupit ‘ushqime të papërpunuara’ në inflacion. Rritja e disa prej çmimeve të administruara dhe efekti i rritjes së akcizës për disa mallra vazhdojnë të japin një kontribut konstant, por pozitiv, në inflacionin vjetor.
Ecuria e inflacionit në muajt e fundit është rezultat i balancës së veprimeve me kah të kundërt të dy faktorëve kryesorë. Në kahun rritës, çmimeve e larta të mallrave bazë dhe të lëndëve të para në tregjet botërore janë përcjellë në inflacionin në vend në formën e rritjes së inflacionit të importuar. Në afat të shkurtër, ky fenomen ka ushqyer edhe inflacionin bazë, i cili është rritur në krahasim me vitin e kaluar. Sikurse tregohet edhe nga norma më e lartë e inflacionit neto të mallrave të patregtueshëm, një pjesë e rritjes së çmimeve të mallrave bazë është materializuar në efekte të raundit të dytë në inflacion.
Zhvillimet e fundit në inflacion kanë prekur edhe pritjet e agjentëve ekonomikë për inflacionin, por megjithatë, këto të fundit vazhdojnë të qëndrojnë brenda objektivit të Bankës së Shqipërisë.
Në kahun rënës, zhvillimet në ekonominë vendase vijojnë të prodhojnë një ambient me presione të përmbajtura inflacioniste. Vlerësimet tona mbi aktivitetin ekonomik sugjerojnë për një normë pozitive rritjeje gjatë tremujorit të parë të vitit, por duke mbetur nën nivelin potencial të saj. Në këto kushte, ekonomia shqiptare vazhdon të karakterizohet nga kapacitete të pashfrytëzuara të faktorëve të prodhimit – të punës e të kapitalit – dhe një hendek ende negativ prodhimi, i cili vijon të ushtrojë presione në rënëse mbi inflacion. Gjithashtu, analiza e zhvillimeve monetare konfirmon prezencën e presioneve të përmbajtura me natyrë monetare në ekonominë vendase.
Në vijim, do të ndalem në trajtimin e faktorëve ekonomikë që kanë përcaktuar zhvillimet në inflacion, së bashku me diskutimin mbi ecurinë e pritur të tyre.
Aktiviteti ekonomik në vend në muajt e parë të vitit është zhvilluar në kontekstin e një ekonomie botërore në rritje, por me presione inflacioniste në rritje dhe pasiguri të shtuara në tregjet financiare dhe.
Aktiviteti ekonomik botëror ka vijuar të rritet në pjesën e parë të vitit 2011, i udhëhequr nga ekspansioni i shpejtë i kërkesës në vendet në zhvillim. Nga ana tjetër, kërkesa e lartë dhe tensioni gjeopolitik janë reflektuar në rritjen e çmimeve të lëndëve të para dhe të mallrave bazë, duke rritur presionet inflacioniste në nivel botëror. Zhvillimet në tregjet financiare kanë reflektuar shqetësimin për qëndrueshmërinë e pozicionit fiskal të vendeve periferike të Eurozonës, duke rritur primet e rrezikut në shkallë të gjerë. Në balancë, rreziqet mbi ecurinë e ardhshme të ekonomisë botërore janë shtuar, ndërkohë që hapësirat për reagim të politikave fiskale dhe monetare janë ngushtuar.
Nën këtë sfond të zhvillimeve ekonomike ndërkombëtare, ekonomia vendase vlerësohet të jetë rritur në muajt e parë të vitit. Kërkesa e huaj ka dhënë një kontribut pozitiv në kërkesën agregate, por, sikurse pritej, kontributi i eksporteve shqiptare në rritjen ekonomike ka qenë më i vogël në krahasim me vitin 2010. Gjithashtu, kërkesa e sektorit publik ka mbështetur rritjen e aktivitetit ekonomik gjatë kësaj periudhe. Nga ana tjetër, ecuria e konsumit dhe investimeve private vlerësohet të ketë qenë e ngadaltë.
Tregues indirektë të këtyre komponentëve të kërkesës së brendshme japin sinjale për një ecuri të dobët të tyre, pavarësisht përmirësimit të kushteve të financimit dhe një ambienti më të përshtatshëm për zhvillimin e sektorit privat të ekonomisë. Pasiguritë për të ardhmen, sikurse shprehen në nivelin e ulët të besimit konsumator, kanë diktuar një sjellje konservatore të individëve në konsum dhe rritje të preferencës së tyre për kursim. Në kushtet e shfrytëzimit jo të plotë të kapaciteteve të prodhimit, edhe nevojat e biznesit për investime të reja ka qenë e ulët.
Momenti pozitiv i ekonomisë botërore ka vijuar të nxisë eksportet tona, por në një masë më të vogël në krahasim me vitin e kaluar. Në muajin prill, rritja vjetore e eksporteve shënoi 10.8% ndërkohë që importet janë zgjeruar më tej, duke shënuar një rritje vjetore prej 16.7% në këtë muaj. Këto zhvillime në tregtinë e jashtme janë materializuar në thellimin e deficitit tregtar gjatë kësaj periudhe, i cili rezultoi 19.5% në terma vjetorë. Në përgjithësi, zhvillimet në bilancin e pagesave konfirmojnë brishtësinë e pozicionit të jashtëm të ekonomisë sonë.
Deficiti i llogarisë korente, i vlerësuar në 11.8% të PBB-së në tremujorin e parë të vitit, mbetet i lartë. Banka e Shqipërisë e ka theksuar në vazhdimësi nevojën për marrjen e masave për uljen e tij, si dhe sigurimin e burimeve të qëndrueshme të financimit të nëpërmjet nxitjes së flukseve hyrëse investimeve të huaja direkte.
Zhvillimet në bilancin e pagesave janë reflektuar në një ecuri relativisht të qetë të kursit të këmbimit. Në kushtet e një balancimi mes kërkesës dhe ofertës, monedha vendase ka shfaqur qëndrueshmëri, duke u nënçmuar lehtë në terma nominale efektivë në muajin maj. Ecuria e kursit të këmbimit në të ardhmen, do kushtëzohet ndjeshëm nga balancat e ekonomisë së jashtme dhe nga preferencat e individëve për strukturën e portofolit të mjeteve financiare.
Shpenzimet e sektorit publik kanë qenë një nxitës i rëndësishëm i aktivitetit ekonomik në muajt e parë të këtij viti. Gjatë periudhës janar – maj, këto shpenzime janë rritur me 10.3% në terma vjetorë, ndërkohë që të ardhurat fiskale janë rritur me ritme të ulëta, në reflektim të kërkesës së ngadaltë të sektorit privat të ekonomisë. Këto zhvillime janë pasqyruar në një deficit buxhetor rreth 1.7 herë më të lartë në krahasim me një vit më parë. Ritmet e rritjes së shpenzimeve kanë ardhur në rënie në tremujorin e dytë.
Një sjellje e tillë pritet të ruhet edhe në pjesën e mbetur të vitit, e kushtëzuar nga angazhimi për të respektuar objektivin e deficitit dhe të borxhit publik për vitin 2011. Kjo përqasje e politikës fiskale pritet të formalizohet edhe me rishikimin e buxhetit në muajin korrik, i cili duhet të tregohet i vëmendshëm ndaj qëndrueshmërisë afatgjatë të borxhit publik.
Përballë zhvillimeve të trajtuara më sipër, analiza e treguesve monetarë konfirmon gjithashtu për presione të kontrolluara inflacioniste me origjinë nga ekonomia e brendshme. Rritja vjetore e ofertës së parasë shënoi 12.2% në muajin prill, duke qëndruar pranë trendit të saj historik. Zgjerimi monetar ka reflektuar akumulimin e likuiditetit në sistemin bankar, në reflektim të një sjelljeje të individëve të orientuar drejt kursimit. Vlerësimet tona tregojnë se masa e zgjerimit monetar është në përputhje me kërkesën e sektorit privat të ekonomisë për para reale, duke dëshmuar kështu për presione të kontrolluara inflacioniste me natyrë monetare.
Sjellja e përmbajtur e sektorit privat të ekonomisë në ndërmarrjen e shpenzimeve dhe investimeve është reflektuar edhe në kërkesë të ulët të tij për financim bankar.
Ritmet e rritjes vjetore të kredisë për sektorin privat janë luhatur në intervalin 10%-12% në katër muajt e parë të vitit, duke qëndruar mesatarisht vetëm 2 pikë përqindje më lart në krahasim me vitin e kaluar. Kërkesa e bizneseve për mbulimin e nevojave për likuiditet ka qenë burimi kryesor i kërkesës për kredi, ndërkohë që kredia për individë është rritur me ritme të ulëta.
Zhvillimet në tregjet financiare flasin për prime të ulëta të rrezikut dhe të likuiditetit. Normat afatshkurtra të interesit në tregun ndërbankar kanë qëndruar pranë normës bazë të interesit dhe kanë shfaqur luhatshmëri të përmbajtur. Në tregun primar, yield-et e letrave me vlerë të qeverisë janë rritur në 3 muajt e fundit, në përgjigje të një kërkese më të lartë të sektorit publik për financim. Megjithatë, kurba e tyre qëndron më poshtë në krahasim me një vit më parë, duke treguar për kushte më të favorshme financiare në ekonomi.
Duke zhvendosur vëmendjen drejt së ardhmes, vlerësimet dhe projeksionet e Bankës së Shqipërisë sugjerojnë për mbartjen e rritjes pozitive ekonomike edhe në periudhën në vazhdim. Në një afat më të gjatë, në kushtet e zbehjes së impulsit të huaj në kërkesën agregate dhe të një sjelljeje më të përmbajtur fiskale, përshpejtimi i ritmeve të rritjes ekonomike do të kushtëzohet nga gjallërimi i sektorit privat të ekonomisë.
Në këtë drejtim, Banka e Shqipërisë gjykon se ambienti ekonomik ofron kushtet dhe hapësirat për një rritje më të madhe të konsumit dhe të investimeve private në vend.
Pavarësisht ritmeve pozitive të rritjes, ekonomia shqiptare pritet të mbetet nën nivelin potencial të saj, duke kushtëzuar vazhdimësinë e hendekut negativ të prodhimit dhe presione të përmbajtura inflacioniste nga kahu i kërkesës. Nga ana tjetër, ecuria e inflacionit do të vazhdojë të jetë nën presionin e çmimeve të huaja edhe në periudhën në vazhdim. Por, në mungesë të zhvillimeve të papritura, efekti i goditjeve të çmimeve të huaja pritet të zbehet ndërsa efekti i rritjes së çmimeve të administruara pritet të shuhet në tremujorin e tretë të vitit. Për rrjedhojë, inflacioni parashikohet të rikthehet brenda objektivit të Bankës së Shqipërisë në fund të vitit. Edhe pse rreziqet rreth këtij skenari bazë janë shtuar si rrjedhojë e pasigurive që rrethojnë zhvillimet ekonomike në botë, ato mbeten të balancuara.
***
Duke vënë në balancë informacionin e përmbledhur më sipër, Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se presionet inflacioniste janë të larta në afat të shkurtër, por me trajektore rënëse, dhe në periudhën afatmesme ato mbeten të kontrolluara.
Në mungesë të goditjeve të papritura, inflacioni pritet të jetë brenda objektivit të Bankës së Shqipërisë përgjatë horizontit kohor të politikës monetare. Pritjet inflacioniste të agjentëve ekonomikë vazhdojnë të jenë brenda objektivit, çka është thelbësore në kushtet e prezencës së njëkohshme të hendekut negativ të prodhimit dhe të çmimeve të larta të huaja. Banka e Shqipërisë është plotësisht e angazhuar në ankorimin e pritjeve inflacioniste në përputhje me objektivin e saj për inflacionin, dhe e gatshme të përmbushë mandatin e saj, duke evituar materializimin e presioneve të qëndrueshme në inflacion.
Në përfundim të diskutimeve, Këshilli Mbikëqyrës konkludoi se kushtet monetare paraqiten të përshtatshme për respektimin e objektivit të inflacionit në periudhën afatmesme dhe vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 5.25 për qind.
* Fjala e mbajtur në konferencën për shtyp mbi vendimmarrjen e politikës monetare të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë