English

Topi-Arvizu: Të mbyllet sa më shpejt procesi zgjedhor

Tiranë, 29 qershor 2011, NOA- Presidenti i vendit Bamir Topi ka zhvilluar një takim ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vendin tonë Alexander Arvizu.

Gjatë këtij takimi, Presidenti Topi dhe Ambasadori Arvizu diskutuan për situatën aktuale paszgjedhore, duke theksuar nevojën e përmbylljes sa më të shpejtë të procesit zgjedhor.

Më tej ata theksuan nevojën për kapërcimin e ngërçit të stërzgjatur politik nëpërmjet rivendosjes së dialogut politik ndër-institucional e respektimit të ligjit dhe institucioneve të pavarura kushtetuese në shërbim të interesave madhore të vendit dhe aspiratave integruese evropiane të popullit shqiptar.

Në vijimësi Presidenti Topi i dorëzoi përfaqësuesit të vendit më mik dhe aleatit të ngushtë të Shqipërisë, mesazhin drejtuar homologut të tij, Presidentit Barack Obama, me rastin e përvjetorit të 235-të Pavarësisë së SHBA-ve duke i shprehur njëkohësisht Ambasadorit amerikan urimet më të përzemërta edhe në emër të mbarë popullit shqiptar për këtë ngjarje historike.

Ky takim erdhi pak para nisjes së kreut të shtetit drejt Malit të Zi ku do të marrë pjesë në Samitin e Krerëve të shteteve të rajonit në kuadër të Procesit të Bashkëpunimit të Vendeve të Evropës Juglindore.

Takimi mes tyre u bë jo në Presidencë si herët e tjera, por në rezidencën private të ambasadorit amerikan.

a.y/NOA

KOMENTE