English

Tragjedia e Otrantos, 2 vite e 4 muaj burg kapitenit italian, 3 vite e 10 muaj atij shqiptar

Leçe, 29 qershor 2011, NOA- Tragjedia e Otrantos e ndodhur më 28 mars të vitit 1997 është mbyllur nga Gjykata e Apelit në Leçe, e cila ka dënuar me kapitenin e anijes “Sibilla” Fabrizo Laudadio me 2 vjet e 4 muaj burg.

Ndërkaq edhe kapiteni shqiptar i anijes “Kateri i Radës”, Namik Xhaferri është dënuar me 3 vjet e 10 muaj burg si shkaktar të vdekjes së 108 emigrantëve shqiptar.

Ndërsa seanca u mbajt gjatë ditës së djeshme vendimi për këtë çështje u dha vetëm sot, ndërsa prokurori i përgjithshëm Giuseppe Vignola kërkoi lirimin e Laudadios duke pretenduar se përplasja mes “Sibillas” dhe “Katerit të Radës”, anije e cila mbante emigrantët shqiptar ishte shkaktuar nga manovrat e pamatura të komandantit të motovedetës shqiptare, për ti shpëtuar bllokadës detare në brigjet puljeze.

Në trazirat e marsit të vitit 1997, 120 shqiptarë, filluan rrugëtimin që nuk do t’i çonte sërish në tokë, me anijen shqiptare “Kateri i Radës”. Nga pamjet filmike siguruar nga prokuroria italiane, shihej qartë anija “Sibilla” një flotë-anije luftarake italiane, që i ka rënë në mes anijes së vogël shqiptare.

Anija “Kateri i Radës”, në bordin e të cilës në 28 mars 1997 udhëtonin 120 shtetas shqiptarë kishte arritur të hynte në ujërat territoriale italiane dhe kur sapo i ishte afruar brigjeve të Otrantos në Itali, u përplas me anijen luftarake italiane, “Sibilla”.

Çarja e krijuar në anijen që vinte nga Shqipëria solli mbushjen e saj me ujë. Në këto kushte, anija u përmbys dhe bashkë me të humbën jetën të paktën 84 shqiptarë kryesisht nga Vlora, mes të cilëve gra dhe fëmijë, ndërsa trupat e 24 prej tyre nuk janë gjetur as sot.

a.y/NOA

KOMENTE