English

Tragjedia e Otrantos, gjykata: Anija të mos kthehet në Shqipëri, të asgjësohet

Leçe, 29 qershor, NOA – Gjykata italiane e Leçes vendosi për asgjësimin e mbetjeve të anijes së tragjedisë që familjet shqiptare të viktimave të Otrantos, kanë kërkuar t’u kthehet për të bërë me të një memorial ndaj të afërmve të tyre që humbën jetën në det të hapur 14 vjet më parë.

“Anija Kater i Radës, u përmbyt në 28 marsin e 1997-ës, dhe shënoi një bilanc tragjik me 108 të vdekur”, raporton “La Repubblica” në artikullin e posaçëm dedikuar kësaj tragjedie.

Gjykata vendosi gjithashtu uljen e dënimit të italianit Fabrizio Laudadio, komandant i anijes Sibila të Marinës Italiane, si edhe shqiptarit Namik Xhaferi, drejtuesi i anijes që përfundoi në fund të detit; që të dy të akuzuar për vrasje nga pakujdesia, duke shkaktuar aksident me pasoja të rënda.

Konkretisht, për Xhaferrin dënimi u ul me 2 muaj, duke ia lënë me 3 vjet 10 muaj, dhe 8 muaj për Laudadion, i dënuar me 2 vjet dhe 4 muaj, nëpërmjet njohjes së rrethanave lehtësuese.

Gjykata ka njohur gjithashtu edhe paditë e konsiderueshme për kompensimet, të cilat llogariten në shifra të ndryshme nga 20.000 në 300.000 €, në varësi të dëmit të pësuar.

“Në thellësitë e Adriatikut, deri në 39 persona trupat e të cilëve nuk u gjetën kurrë, janë varrosur përgjithmonë. Në Shqipëri, megjithatë, emrat e tyre janë shkruar mbi arkivole bosh, së bashku me ato të 69 viktimave trupat e të cilëve ishin gjetur dhe varrosur më pas.

Vetëm 34 midis burrave dhe grave arritën të shpëtojnë. Sa për kthimin e anijes në shtetin shqiptar, gjykata ka urdhëruar heqjen e të drejtës së kthimit dhe çmontimin e asaj që ka mbetur prej saj si edhe delegimin e ekzekutimit të kësaj mase komandës së Marinës së Brindizit”, përfundon artikulli i “La Repubblica”.

Portreti ...

Ai ka pritur 14 vjet për drejtësi. Ditë dhe netë i kujtohet ankthi i mallkuar i asaj nate, kur varka në të cilën ishte ngjitur për të shkuar në Itali u mbyt në ngushticën e Otrantos dhe valët përpinë nënën e tij.

Ditët dhe vite pritje dhe pastaj, orë të gjata në Gjykatën e Leçes, duke pritur që ajo të shkruante një fund zyrtar mbi masakrën që u ndodhi 108 shqiptarëve...

Plot 69 trupa u gjetën në detin e Pulias, natën e 27 marsit 1997, ndërsa 39 ishin të humbur dhe vetëm 34 të mbijetuar. Dhe Ermali është njëri prej tyre, portretin e të cilit e ka marrë në analizë gazeta italiane “La Repubblica”, në kuadrin e pasqyrimit të ecurisë së procesit në gjykatë.

Sot ai është 32 vjeç dhe kujton sesi u shpëtua në det nga marina italiane.

Një dhimbje e pafund, që katërmbëdhjetë vjet më vonë i rishfaqet ndërsa kërkon të drejtën e tij mes turmës së shqiptarëve para gjykatës së Leçes.

I ulur në fron mes tyre, ndërsa pyetet se çfarë pret nga vendimi, ai arrin të thotë vetëm fjalën: Drejtësi!

Dhe Italia, e cila në moshën 18-vjeçare i dukej tokë e premtuar, është një vend ku gjeti miq, por edhe shumë kontradikta.

Tashmë, dhjetëra familjarë të viktimave, ulur në grupe, shfaqen çdo herë që hapet dera e seancave gjyqësore.

Dhe Ermali ndodhet në mes tyre, me fytyrën e tij gjithnjë e më të lodhur çdo orë që kalon.

Pas 14 vitesh, çdo minutë i duket si një përjetësi e pritjes... n.e/NOA

KOMENTE