Dibër, 29 qershor 2011, NOA – Dy fëmijë kanë mbetur të vdekur në vend nga shpërthimi i eksplozivit në banesën e tyre në komunën Kastriot të rrethit të Dibrës. Ngjarja e rëndë ndodhi herët në mëngjes në banesën e familjes Kurti.
Policia e Dibrës pasi ka parë nga afër vendngjarjen dyshon se vdekja e dy vogëlushëve është aksidentale.
Sipas policisë fëmijëve u ka shpërthyer eksplozivi në duar.
Nga shpërthimi ka mbetur e plagosur edhe nëna e dy fëmijëve.
Blutë e Dibrës po hetojnë për ngjarjen e rëndë.
Vdekja e dy fëmijëve në Dibër, nuk është rasti parë i humbjes së jetës së të vegjëlve nga një shkak i tillë siç është loja e rrezikshme me lëndë plasëse.
Në zona të ndryshme të vendit kohë pas kohe janë shënuar ngjarje të tilla të rënda, që i kanë kushtuar jetën fëmijëve, por edhe të rriturve.
mit/NOA