Tiranë, 29 qershor 2011 NOA- Forcat e armatosura shqiptare do të japin ndihmën e tyre në kualifikimin e ushtrisë së Afganistanit. Kjo përgjegjësi rritet pas përfundimit të trajnimit të FA shqiptare nga ekspertë amerikanë, ceremonia për të cilën u zhvillua sot në Ministrinë e Mbrojtjes në prani të kryeministrit Berisha, ambasadorit amerikan Arvizu etj.
“Misioni juaj në një OMLT, është një dimension i ri i pjesëmarrjes së Shqipërisë në forcat e ISAF-it, është një dëshmi tjetër e Qeverisë Shqiptare për t’iu përgjigjur të gjitha kërkesave të Aleancës së Atlantikut Verior dhe për të qëndruar në çdo rast, aty ku ushtria Amerikane dhe Aleanca do të qëndroj për paqen dhe stabilitetin. Ky është një rast për të shprehur mirënjohjen e thellë të qeverisë Shqiptare ndaj qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për mbështetjen e tyre të jashtëzakonshme që i kanë dhënë dhe i japin Shqipërisë”, nënvizoi kryeministri Berisha përpara kontingjentit ushtarak.
Nga ana e tij, ambasadori i SHBA-së, z. Arvizu në fjalën e tij, vlerësoi rolin dhe kontributin që Shqipëria dhe Forcat e saj të Armatosura, japin në Afganistan.
“Ky është një nga dy misionet 9 mujore të ekipeve të përbashkëta shqiptaro-amerikane OML, dhe kjo do të jetë një mundësi mësimnxënie për forcat shqiptare dhe ato amerikane. Sërish ne dëshirojmë të falënderojmë Shqipërinë për mbështetjen e saj të vazhdueshme, jo vetëm në Afganistan, por në të gjitha projektet për mbrojtjen e paqes kudo në botë”, u shpreh në përfundim amabasadori amerikan Arvizu.
Kontigjenti, i cili do të niset në fillim të muajit korrik drejt Afganistanit, mbështetet në kuadër të kontributit që vendi ynë jep për Forcën Ndërkombëtare të Asistencës dhe Sigurisë.
a.q/NOA