Nga Arbër Zaimi
Në vitin 2004 mbarë opinionin global e tronditi skandali i torturave në burgun Abu Ghraib, në Bagdad. Gjithçka u zbulua prej fotove makabre që rrëfenin mënyrën çnjerëzore të trajtimit të të burgosurve irakenë prej ushtarakëve amerikanë. Ngjarja e detyroi presidentin Bush të merrte masa, duke dënuar një sërë ushtarësh e duke kërkuar falje publikisht. Ndër masat që u morën, njëra prej tyre ishte edhe ndalimi i përdorimit të aparatëve fotografikë në ambientet e burgut.
Kjo masë u kritikua së tepërmi, me argumentin që zhdukja e mundësisë për të shfaqur skandalet, nuk i zhbën ato. Kemi të bëjmë me të njëjtin fiksim ndaj dukjes, ndaj sipërfaqjes e ndaj kopertinës, si në rastin e pushtetarëve shqiptarë e kryeparlamentares Topalli. Me iniciativat e tyre për të zhdukur apo ndryshuar kornizat sipërfaqësore të asaj çka konsiderohet komuniste, përshembull “piramida”, monumentet e ndryshme, aktet parlamentare, historia zyrtare etj, këta pushtetarë evitojnë të prekin thelbin përmbajtësor të diktaturës.
Shkatërrojnë godina apo deftere, por komunizmin e kane ne koke. Znj.Topalli shkatërron çdo gjë që i duket si enveriste sepse ka frikë nga ajo çka përmbajtësisht është enveriste. Ajo shkatërron formën, sepse ka frikë nga thelbi, i cili gjendet në praktikat totalitare të pushtetarëve të sotëm, që e trajtojnë shtetin, institucionin e shoqërinë si feud të tyrin. Shpesh, më keq se dje!
*Botuar në gazetën “Shekulli”. Qëndrimet e shprehura në këtë artikull janë personale dhe nuk prezantojnë domosdoshmërisht vijën editoriale të NOA.