Tiranë, 30 qershor 2011 NOA- 10 mijë shqiptarë që punojnë në Mbretërinë e Belgjikës do të përfitojnë nga mbledhja e periudhave respektive të sigurimit shoqëror dhe viteve të punës që emigrantët shqiptare kanë plotësuar, si në Republikën e Shqipërisë ashtu edhe në vendin në të cilin ata kanë emigruar. Një gjë e tillë do të mundësohet nga marrëveshja mes qeverisë shqiptare dhe Mbretërisë së Bashkuar belge.
Zv/Ministrja e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabrata, Filloreta Kodra, e pyetur rreth negociatave që po zhvillohen këto ditë, tha se “Liberalizimi i vizave me vendet e Shengen-it ka ndikuar jo vetëm në lëvizjen e lirë të shqiptarëve në këto vende, por edhe në forcimin e bashkëpunimit të Shqipërisë me këto vende dhe në një gadishmëri më të madhe të vendeve të BE për fillimin e negociatave në fushë e mirëqenies.”
Sipas zv/Ministres së Punës, “10 mijë shqiptarë që punojnë në Mbretërinë e Belgjikës në momentin që do të dalin në pension, për llogaritjen e përfitimit te tyre do të merren në konsideratë periudhat e sigurimeve shoqërore të punuara jo vetëm në Shqipëri, por edhe ato që janë përmbushur në shtetin e huaj, me te cilin nënshkruhet marrveshja dypalëshe”.
Nëpërmjet zbatimit të këtij parimi emigrantëve shqiptarë iu rriten mundësitë për të përfituar pensione në kushte më të mira përfitimi, por edhe në një masë më të lartë.
a.q/NOA