Nga Mero Baze
Nëse biznesmeni libanez që prodhon çimento në Shqipëri do ta kishte menduar se si të bëjë të njohur edhe një biznes tjetër që ka në Shqipëri për shpërndarjen e masterave për “studime strategjike dhe trajnime”, duke ftuar në këtë event modest Fatos Nanon dhe Lulëzim Bashën ngjitur me njëri- tjetrin, do të ishim para një ideje brilante reklame më shumë se sa para një lajmi politik. Por në të vërtetë lajmi i shpërndarë dje mbasdite nga Vizion Plus me pamje dhe i rimarrë nga mediet e tjera, të vetmen gjë që nuk tregonte ishte pikërisht se ku ishin takuar këta dy “burra”. Edhe pse korrektësia e një raportimi gazetaresk e kërkon t’i përgjigjesh pyetjes “Ku”, thuajse askush nuk e tregonte “sebepçiun” e këtij takimi. Kjo na bind se libanezi që bën çimento dhe që njihet si një mik i vjetër i Fatos Nanos dhe Lulëzim Bashës, në të vërtetë thjesht ka sajuar një rast t’i bëjë bashkë në publik dy kundërshtarë të Edi Ramës, paraardhësin e tij në parti dhe pretendentin për pasardhës në Bashki. Jemi pra në rastin tipik kur fotografia kërkohet me çdo çmim, qoftë dhe duke marrë pjesë në një banalitet të një varianti të shkollave të natës komunale në Shqipëri.
Po përse i duhet Berishës fotografia e Fatos Nanos me Lulëzim Bashën?
Kjo është një përgjigje e komplikuar. Nuk është aq bardh e zi sa duket. Historia e fotografive të Fatos Nanos me Berishën ka nisur si modë qysh në vitin 2007, në zgjedhjet e mëparshme lokale, pa mundur t’i prishë dot punë Edi Ramës. Bile ajo foto në një farë mënyre theu kodin moral në PD të distancës nga korrupsioni, duke i hapur rrugë parimit të mbajtjes së pushtetit me çdo kusht. Shumë vetë e përfolën atëherë takimin Nano- Berisha si një pazar për presidentin apo ndihmë reciproke. E vërteta është se Berisha nuk i premtoi Fatos Nanos asgjë. Thjesht e thirri, bënë bashkë një foto për t’i bërë presion Edi Ramës të hynte në zgjedhje dhe ikën. Berisha nuk e bëri Fatos Nanon president, përkundrazi, Fatos Nano e bëri Berishën me president duke i dhënë votat e tij.
Pas kësaj sërish shumë njerëz ngrinin hamendje se Berisha i ka dhënë Fatos Nanos dhjetëra biznese, tendera dhe pushtet duke e lënë fantazinë e lirë. Në të vërtetë nuk i ka dhënë asgjë nga këto. Fatos Nano vazhdoi jetën e tij private në Austri dhe herë- herë maksimumi që mund të bënte, ishte që të negocionte kundrejt përqindjes ndonjë gjobë që Berisha u vinte biznesmenëve që i quante të lidhur me të majtën. Berisha ka vazhduar të qëndrojë administrativisht korrekt me Fatos Nanon, duke mos i dhënë atij akses në pushtet, në para dhe shpresa për postin e presidentit. Përpos kësaj, Fatos Nano vazhdoi të ishte koherent në shërbimet e tij politike. Ai dënoi si Berisha 21 Janarin dhe premtoi një jetë aktive politike në fushatën e zgjedhjeve lokale, por që nuk e bëri. Gjithkush në Shqipëri e mirëkupton Fatos Nanon kur përton të bëjë një gjë, ndaj dhe nuk ja pa njeri për të madhe, as Berisha dhe as opozita.
Dje u shfaq sërish me Lulëzim Bashën. Është koha kur Berisha ka nevojë të flitet për të ardhmen e Edi Ramës dhe jo të ardhmen e tij. Është koha që Berisha ka dëshirë të mos diskutohet për vendimin e Kolegjit apo pavlefshmërinë e zgjedhjeve. Fatos Nano është gjithmonë aty ku duhet të jetë për të bërë diçka. Mos mendoni se e ka dërguar aty Sali Berisha. Ka shkuar vetë. Është i prirur të bëjë diçka kundër Edi Ramës, të hakmerret ndaj njeriut që i ka lënë partinë dhe që nuk po bën diçka për ta rikthyer në politikë. Ndoshta ka të drejtë në mërinë e tij me Edi Ramën pasi ashtu e mendon. Ndoshta e ka të sinqertë bindjen se shqiptarët janë të gatshëm ta pranojnë për president. Kur dëgjon që për këtë post i ka rishkuar në mendje sërish Sali Berishës, apo më keq akoma, dhe Jozefina Topallit, Fatos Nano është një yll. Pra, desha të them se Fatos Nano nuk ka ndonjë pazar me Sali Berishën. Punon falas dhe me dëshirë për të, me shpresë se duke varrosur të majtën e Edi Ramës, do kujtohet për mirë. Ai ka kaluar nga një ish kryeministër që e përdori Berisha në një ish kryeministër që po e përdor Lulëzim Basha. Arsyet përse Fatos Nano duhet kujtuar për mirë në këtë vend, në të vërtetë nuk kanë të bëjnë me Edi Ramën, por me Sali Berishën dhe Ilir Metën. Ndryshe nga ata të dy, Fatos Nano ka dorëzuar pushtetin me zgjedhje të lira dhe ka qeverisur me një përgjegjshmëri më të madhe makroekonomike se këta dy batakçinj. Kaq.
Sado marrëzira të bëjë Fatos Nano ne nuk ja heqim dot këto vlera, dhe sado të vetëpërdoret qoftë dhe vullnetarisht kundër opozitës sot, ai nuk i shpëton dot as zgjedhjet e vjedhura të Sali Berishës, as makthet e Lulëzim Bashës për të rrëmbyer Tiranën si imunitet për historinë e vjedhjeve dhe vrasjeve të tij politike. Askush nuk zemërohet me Fatos Nanon për këto që bën. Askush nuk beson se atij i është premtuar një post, një punë apo një biznes në shkëmbim të asaj që bën. Është edhe më keq. E bën vullnetarisht. Është një “armik” në dispozicion të pushtetit. Politikanë si ai dinë të fitojnë vetë, të humbasin vetë dhe të harrohen vetë.
*Qëndrimet e shprehura në këtë artikull janë personale dhe nuk prezantojnë domosdoshmërisht vijën editoriale të NOA