English

Jugosfera ose rikthimi i Jugosllavisë

Nga Tim Judah

Njëzet vjet më parë ndodhi një ngjarje kyç për shpërbërjen e Jugosllavisë. Më 27 qershor 1991 ushtria jugosllave kërkoi të rimerrte kontrollin e kufirit në Slloveni. Kroacia dhe Sllovenia kishin shpallur pavarësinë një javë më parë. Revista beogradase Vreme po e përkujton ngjarjen dhe më kërkoi të shkruaja një artikull për ta.

Dy vjet më parë shpika termin Jugosferë në një artikull për The Economist. Mendova se termi përmblidhte disa prej dinamikave që kam parë të shpalohen në ish-Jugosllavi gjatë viteve të fundit. Disa më kanë keqkuptuar, por fakti se fjala që nga atëherë është bërë pjesë e leksikut, sugjeron se në mënyrë të dobishme ka kapur diçka që shumë njerëz instinktivisht e dinin se ekzistonte – dhe në fakt e jetonin për çdo ditë.

Dy vjet më vonë, ideja e Jugosferës më kall mërzi. Por duket se ka për të mbetur; dhe, për më shumë, ideja e saj është më e nevojshme se kurrë. Më lejoni të shpjegohem. Së pari, Jugosfera ishte thjesht një mënyrë përshkrimi e ringjalljes së mijëra lidhjeve të shkëputura në shtetin e dikurshëm. (Kosova është një përjashtim i pjesshëm për arsye të ditura). Kjo nuk do të thotë se shteti i Jugosllavisë po kthehet edhe një herë. Për më shumë edhe pse mendoj se është një zhvillim përmirësues, nuk është i pakthyeshëm.

Nëse e shohim më gjerë, Jugosfera është një fenomen social dhe ekonomik. Kur një kompani kroate si Atlantic Grupa ble një kompani sllovene, Droga Kolinska, që ka nën pronësi një kompani serbe, e cila shpërndan mallra në të gjithë ish-Jugosllavinë, kjo është Jugosfera. (Dhe, mund të shtoj se kjo nuk ka kurrfarë lidhje me “Jugonostalgjinë”.)

Kur Këshilli për Bashkëpunim Rajonal në Sarajevë, i drejtuar nga një kroat; organizon takime mbi kulturën, ligjin, industrinë, ambientin dhe çfarëdo qoftë, ky është kuptimi i Jugosferës. Mund të flas për atë se cili muzikant po performon ku këtë verë, ose se pse raporti për Ratko Mladiçin u publikua së pari në gazetën kroate “Jutarnji list”.

Por ideja ka gjithashtu zbatim politik. Pres të shoh edhe më shumë bashkëpunim ndërmjet shteteve të ish-Jugosllavisë. Ka shumë modele për të ndjekur. Mendoni pak shtetet e Beneluksit, të cilat kishin një bashkëpunim të jashtëzakonshëm para se bashkëveprimi i tyre të reduktohej me anëtarësimin në Bashkimin Europian. Një tjetër model është Këshilli Nordik, që bashkon një grup natyror të shteteve skandinave, disa anëtare të BE-së, e ndonjë jo. Një tjetër shembull është grupi Visegrad i europian-qendrorëve.

Dikush mund të mendojë se keqfunksionimi i ish-Jugosllavisë do ta bëjë të pamundshëm bashkëpunimin. Përplasjet për Kosovën shkaktojnë telashe në zbatimin e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë (CEFTA), ku bëjnë pjesë shtetet e Ballkanit dhe Moldavia. Bosnja nuk po funksionon si një shtet i plotë. Dy ish-shtete jugosllave janë anëtare të NATO-s, dhe një tjetër është në BE (shumë shpejt do të pasohet edhe nga një tjetër). Serbia ka problemin e Kosovës, dhe Kosova ka problemin e Serbisë. Ky nuk ngjan si model bashkëpunimi.

Drejt. Por ja edhe një vëzhgim gjakftohtë, i cili ka për qëllim të mos fyejë, por t’i vendosë gjërat në perspektivë. Imagjinojeni Europën si një qytet. Rajoni i ish-Jugosllavisë është i varfër, por një lagje periferike, me disa rrugë të qeta dhe me disa të tjera të kontrolluara nga gangsterë, qofshin këta realë apo të veshur si politikanë.

Qyteti në tërësi është në telashe. Rajonet e pasura janë zemëruar me shpenzimet e pamenduara të bashkisë së Greqisë. Ka emigrantë nga qytete më të varfra, si Tunizia dhe Afganistani, që flenë në park dhe që kërkojnë lëmoshë.

Europa ka dy mundësi. Mund të mobilizojë avantazhet e saj natyrore dhe krahasuese, si kulturën, historinë, tregjet e përbashkëta dhe kështu me radhë. Ose mund të rrudhet, të shohë teksa popullsia e saj në moshë plaket dhe atë inteligjente të mërgojë në vende me mundësi më të mira. E njëjta mund të thuhet, në përmasa më të vogla, edhe për ish-Jugosllavinë.

Quajeni Jugosferë, quajeni “rajon”, “zonë”, Adriatik apo çfarëdo. Akujt jashtë kësaj zone nuk i bëhet vonë. Në fakt duke pasur parasysh çdo gjë tjetër që po ndodh në botë, pak njerëz jashtë Ballkanit kujtohen për këtë rajon. Shikojeni Jugosferën. Demografi katastrofike, prodhimtari e ulët, infrastrukturë e dobët, vuajtje nga rënia afatgjatë e standardeve të arsimimit. Dhe një popullsi totali i së cilës nuk kap as atë të Shanghait. Në një botë si kjo, një bashkëpunim më i madh është pa dyshim në interesin e të gjithëve.

Gazeta “Mapo”

KOMENTE