English

KMDLNJ: Regjistrimi i popullsisë në Kosovë, i dështuar

Prishtinë, 30 qershor 2011, NOA- Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut në Prishtinë e ka cilësuar procesin e regjistrimit të popullsisë në Kosovë si të dështuar dhe se nuk pasqyron numrin real të popullsisë .

Nga KMDLNj theksohet se që në fillim të procesit ishin vërejtur disa parregullsi, madje edhe qytetarët janë ankuar për mos regjistrim adekuat të familjare të tyre që jetojnë jashtë vendit. Ndërkohë ka pasur qytetarë që janë ankuar që nuk janë përfshirë fare në procesin e regjistrimit.

Sipas KMDLNJ fakti që regjistrimi nuk është zhvilluar në pjesën veriore të Kosovës atëherë legjitimiteti i këtij procesi vihet në pyetje. KMDLNj ka fakte që në regjistrim nuk janë përfshirë edhe një numër i madh i qytetarëve që jetojnë në vendbanimet serbe.

KMDLNj, në reagimet e mëhershme kishte tërhequr vërejtjen në përjashtimin nga procesi i regjistrimit të qytetarëve të Kosovës që përkohësisht jetojnë jashtë vendit.

KMDLNj ka parasysh faktin që një pjesë e qytetarëve që jetojnë jashtë vendit nuk kanë qëndrim të përhershëm ne vendet ku jetojnë. Po ashtu, një pjesë e madhe e tyre ndikojnë shumë në ekonomitë familjare në Kosovë. Pra, janë pjesëmarrës kryesorë në përcaktimin e kushteve socio-ekonomike të familjeve kosovare e që është qëllimi kryesorë i regjistrimit të popullatës.

Sipas KMDLNj, përfshirja në procesin e regjistrimit e të gjithë atyre që kontribuojnë në përcaktimin e kushteve socio-ekonomike është një shkelje që duhet përmirësuar dhe se mos përfshirja e të gjithë qytetarëve është shkelje elementare e të drejtave të njeriut.

KMDLNj mendon se procesi i regjistrimi ka pasur disa mangësi, duke shtuar se procesi është përcjell me dobësi edhe në informimin e qytetarëve dhe në trajnimin e regjistruesve.

KMDLNj kërkon nga institucioni përgjegjës që të rishikojë këto dobësi dhe të fillojë një regjistrim të jashtëzakonshëm i cili duhet përcillet me një fushatë të fuqishme në media, pasi në këtë mënyrë do të sigurohej përfshirja e të gjitha atyre që nuk janë përfshirë.

Sipas këtij regjistrimi numri i banorëve që ka Kosova është 1.733.872.

a.y/NOA

KOMENTE