Nga Armand Shkullaku
Kriza politike ishte arsyeja kryesore se përse Shqipëria u rendit e fundit në vlerësimin e komisionerit Fyle për vendet e Ballkanit Perëndimor që synojnë të anëtarësohen në BE. Nëse për vendet e tjera ballkanike, përfshi edhe Kosovën, ka mjaft arsye objektive që e ngadalësojnë rrugën drejt BE-së, si çështjet e njohjes, të emrit, të kufijve apo të marrëdhënieve më fqinjët, për Shqipërinë problem janë vetë shqiptarët. Ose më saktë, politikanët shqiptarë. Situata, në kufijtë e absurdit, dukshëm i ka lodhur dhe vetë drejtuesit e BE-së, të cilët nuk kanë ndërmend të bëjnë përpjekje të tjera për sa kohë liderët politikë në Shqipëri të mos merren vesh mes tyre për t’i dhënë fund krizës politike në Shqipëri.
Por, sa shanse ka që të zgjidhet kriza aktuale? Shumë pak, ose, edhe nëse zgjidhet, ajo me siguri do të përsëritet në një periudhë tjetër kohore. Ajo që po ndodh sot në Shqipëri është shumë më e thellë se sa mosmarrëveshja mes dy liderëve apo dy partive politike. Pajtimi mes tyre mund të prodhonte një përmirësim provizor, por asesi zgjidhje të krizës. Në 20 vite tranzicion Shqipëria ka provuar se të gjitha kompromiset e arritura mes palëve në konflikt nuk e kanë zgjidhur në thelb problemin; ai është rishfaqur vazhdimisht në formën e krizës politike duke kërcënuar stabilitetin dhe të ardhmen e vendit. Prandaj iluzioni se një marrëveshje Berisha-Rama do ta zhbllokonte ngërçin dhe do t’i hapte rrugë perspektivës europiane të Shqipërisë, është një reprizë e iluzioneve të shkuara. Rrënjët e krizës politike shqiptare janë më të komplikuara se sa shfaqen.
Kriza politike aktuale nuk mund të përkthehet thjesht në një mosmarrëveshje mes forcave politike, mes maxhorancës dhe opozitës. Ajo është, mbi të gjitha, një krizë morale, krizë besimi, krizë e ideve dhe alternativave për të ndryshuar mënyrën e qeverisjes së vendit. Në Shqipëri janë ndërruar qeveritë, por jo mënyra e të qeverisurit. Lufta politike zhvillohet për të kalëruar të njëjtin sistem abuziv e korruptiv dhe në konsumim të vizioneve dhe ideve kreative, gara elektorale gjithnjë e më shumë po personalizohet, po shndërrohet në zgjedhje emocionale, në dashuri ose urrejtje për liderin. Kjo krizë e ideve dhe alternativave po zëvendësohet nga demonizimi i kundërshtarit dhe nga ndarja radikale në dy kampe. Votat nuk synohet të thithen me projekte, programe, frymë besimi, por me filozofinë sempliste të mohimit, të negativitetit dhe eliminimit të rivalit politik. Zëvendësimi i ideve me akuza duket rruga më e lehtë në pamje të parë, ndërsa me kalimin e kohës ky zëvendësim e shkreton terrenin politik, i humbet politikës çdo kuptim si mundësi për të përmirësuar jetën e njerëzve, e shndërron atë në një ring ku qytetarët nuk janë më pjesëmarrës, por tifozë të njërit apo tjetrit rival. Dhe, në këtë mënyrë, rezultati i ndeshjes nuk pranohet lehtë, gjakrat ndizen, arbitri paragjykohet dhe kriza është e pashmangshme. Sepse nuk kemi pasur garë të ideve, por ndeshje të gladiatorëve. Nuk kemi pasur qytetarë që gjykojnë, por tifozë që kënaqen me eliminimin e kundërshtarit.
E gjithë fushata e fundit elektorale e Partisë Socialiste u përmblodh me një fjali: “Fajin e ka Saliu”. Nuk kanë rëndësi programet, nuk ka nevojë të binden qytetarët për epërsinë e një alternative; për të ardhur në pushtet mjafton të shpallet kundërshtari si e keqja më e madhe. Por a mjafton vërtet? Endja politike e Edi Ramës po tregon se Shqipëria ka ardhur në një pikë ku vetëm demonizimi i kundërshtarit nuk të çon në fitore. Dhe kur ky demonizim tenton të justifikojë mungesën e alternativave, kur bëhet pa asnjë lloj morali dhe shndërrohet në qëllimin dhe mundësinë e vetme për të ardhur në pushtet, sigurisht që prodhon krizë.
Morali politik në Shqipëri ka ardhur duke degraduar dhe sot ka mbërritur deri në atë pikë sa ndryshimi po nënkuptohet haptazi dhe pa pikë turpi si zëvendësimi i një të keqeje me një të keqe tjetër dhe si një përplasje mes të fortëve. Kohë më parë, qoftë Fatos Nano me “katharsisin” e famshëm, apo dhe Sali Berisha me “duart e pastra”, u përpoqën që betejës së tyre për pushtet t’i jepnin dhe një veshje morale, një kauzë për t’i bërë njerëzit të besonin te politika. Të dy i braktisën kuajt e betejës me të marrë frenat e pushtetit në duar, duke i dhënë një goditje të pariparueshme besimit të qytetarëve për të ndryshuar mënyrën e qeverisjes nëpërmjet votës. Kriza politike i ka rrënjët pikërisht te humbja e këtij besimi, te dëshpërimi se me votë mund të ndryshohet diçka. Madje kjo ndjenjë është bërë aq dominuese, sa në fushatën e fundit, Edi Rama as që e mori mundimin t’i japë një kuptim moral betejës së tij politike dhe e reduktoi thjesht në largimin e Berishës. Akti më therës i kësaj fushate, si simbol i bjerrjes totale të moralit, ishte pacipësia me të cilën Ilir Meta u shpall i korruptuar dhe që duhej të ikte nga pushteti, ndërkohë që për të njëjtin skandal, Dritan Prifti u konsiderua i vlefshëm për të ardhur në pushtet.
Në një vend ku ndryshimi politik nuk ngjall asnjë shpresë për ndryshim të sistemit, për ngjallje të besimit dhe ringritje të moralit, kriza është e pashmangshme. Gara shndërrohet në përplasje, konkurrimi në konflikt, njerëzit votojnë të ndarë në kampe si tifozë e militantë, zgjedhjet e humbin kuptimin e tyre të vërtetë e, për pasojë, dhe pranimi i rezultatit nuk është më standard demokratik, por mjet për të mbajtur gjallë tensionin. Në këtë kuptim, kriza politike në Shqipëri nuk është thjesht një konflikt Berisha- Rama, ajo është krizë që e gjeneron vetë sistemi dhe për të cilën të dyja palët janë të interesuara për sa kohë nuk prodhojnë dot alternativa të besueshme. Prandaj kushti i vendosur nga BE ka pak gjasa të çojë në një zgjidhje të qëndrueshme. Ai është refreni i njëjtë i një kënge që përsëritet 20 vjet.
Gazeta "Panorama". Qëndrimet e shprehura në këtë artikull janë personale dhe nuk prezantojnë domosdoshmërisht vijën editoriale të NOA