English

Lamberto Zannier i Italisë emërohet Sekretar i Përgjithshëm i OSBE-së

Vilnius/Vjenë, 30 qershor 2011 NOA – Ambasadori Lamberto Zannier nga Italia u emërua Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së, me një vendim të njëzëshëm të Këshillit Ministerial nga të 56 Shtetet pjesëmarrëse të Organizatës, njoftoi sot Kryetari i Radhës i OSBE-së, Ministri lituan i Punëve të Jashtme, Audronius Azubalis.

“Kam kënaqësinë t’ju njoftoj se, pas një shqyrtimi të kujdesshëm, unë dhe kolegët e mi, Ministrat e Jashtëm të OSBE-së, përzgjodhëm Lamberto Zannier-in për të marrë timonin e kësaj Organizate të rëndësishme”, tha Azubalis.

“Këto janë kohë kritike për Shtetet pjesëmarrëse të OSBE-së, sepse duhet të trajtojmë sfidat aktuale në fushën e sigurisë, duke përfshirë këtu konfliktet e stërzgjatura në rajon, duhet të përgatitemi për t’u përballur me efikasitet me kërcënimet e reja apo në lindje e sipër, si dhe duhen të marrim përsipër përgjegjësitë tona më të gjera në mbështetje të vendeve partnere, duke përfshirë këtu Afganistanin dhe shtetet e Afrikës Veriore”, theksoi ai. “Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së duhet t’i mbështesë dhe t’i çojë përpara këto përpjekje dhe unë jam i sigurt se përvoja dhe ekspertiza e Ambasadorit Zannier do të na shërbejnë më së miri në vitet që do të vijnë”.

Zannier, i cili është diplomat karriere, ka qenë Drejtor i Qendrës së OSBE-së për Parandalimin e Konflikteve, në periudhën 2002-2006. Që nga qershori i vitit 2008, ai ka shërbyer si Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së në Kosovë dhe Kreu i Misionit të Përkohshëm Administrativ të OKB-së në Kosovë (UNMIK).

“Kam nderin të marr postin e Sekretarit të Përgjithshëm të kësaj Organizate, të cilën e njoh aq mirë dhe e cila luan një rol kyç për promovimin e vlerave dhe luftimin e kërcënimeve të përbashkëta në fushën e sigurisë”, tha Zannier, i cili e merr detyrën më 1 korrik. “Pres me padurim të punoj së bashku me Shtetet pjesëmarrëse të OSBE-së në trajtimin e këtyre sfidave.”

Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së shërben si përfaqësues i Kryetarit të Radhës dhe si kryezyrtar administrativ i OSBE-së. Ai ose ajo emërohet nga Këshilli Ministerial për një periudhë trevjeçare dhe mund të riemërohet për një mandat të dytë.

Ažubalis e falënderoi Sekretarin e Përgjithshëm në ikje Marc Perrin de Brichambaut për shërbimin e tij gjashtëvjeçar: “Angazhimi juaj plot përkushtim ka ndihmuar për të na udhëhequr përmes sfidave komplekse dhe për të fuqizuar dialogun tonë në fushën e sigurisë. Në Samitin e OSBE-së në Astana, dhjetorin e kaluar, ju dhe ekipi juaj siguruat drejtimin dhe njohuritë e veçanta që aq shumë na erdhën në ndihmë për arritjen e marrëveshjes për një vizion të përbashkët për një bashkësi sigurie Euroaziatike dhe Euro-atlantike të pandashme, të bashkuar, demokratike e të lirë, e cila do të qëndrojë në themel të të gjithë punës sonë”.

Ministri Ažubalis, gjithashtu, i dorëzoi një çmim Perrin de Brichambaut në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tij për sigurinë dhe dialogun gjithëpërfshirës në rajonin e OSBE-së.

Perrin de Brichambaut tha: “Po largohem nga kjo Organizatë e domosdoshme po aq entuziast dhe i përkushtuar ndaj vlerave dhe punës së saj sa ç’isha kur u emërova në postin e Sekretarit të Përgjithshëm, gjashtë vjet më parë. Ndihem mjaft i qetë kur mendoj se Sekretariati i OSBE-së ndodhet në duar e afta të Lamberto Zannier-it, dhe dëshiroj t’i uroj atij dhe OSBE-së gjithë suksesin e mundshëm”.

e.t/NOA

KOMENTE