Tiranë, 30 qershor 2011 NOA- Në ditën e fundit të provimeve të maturës shtetërore, Parlamenti Rinor bën thirrje për transparencë. Parlamenti Rinor shpreh shqetësimin për mënyrën se si është vepruar me 400 maturantë të cilët janë dyshuar se kanë kopjuar. “Ne vlerësojmë se lënia në ankth e 400 familjeve, vetëm sepse këta nxënës kanë dalë me rezultate më të larta se më parë, nuk është zgjidhja më e mirë për këtë problem. Për këto arsye i kërkojmë Ministrisë së Arsimit të bëjë transparent mënyrën se si vendosi që 5% e këtyre maturantëve kanë kopjuar”, thuhet në deklaratën për shtyp të Parlamentit Rinor.
Ai ka mbyllur sot fazën e parë të monitorimit të Maturës Shtetërore. Kjo fazë është përqëndruar në monitorimin e zhvillimit dhe administrimit të provimeve. Gjatë kësaj faze janë evidentuar probleme të keqadministrimit si dhe problem të tjera, të cilat do të bëhen publike shumë shpejt në raportin e monitorimit. Ky raport sëbashku me rekomandimet do t’i vihet në dispozicion Ministrisë së Arsimit me qëllim marrjen e masave dhe përmirësimin e Maturës Shtetërore në vitet e ardhshme.
Tashmë procesi i monitorimit do të kalojë në një fazë të dytë, ku do të monitorohet një pjesë më specifike e Maturës Shtetërore sic është procesi i korrigjimit e vlerësimit dhe procesi i renditjes së fituesve. Ky është një proces tepër i rëndësishëm që lë shteg për abuzim dhe korrupsion, prandaj për këtë arsye ekspertë të Parlamentit Rinor do të vëzhgojnë nga afër këtë proces duke synuar të garantojmë që sistemi Meritë-Preferencë të jetë i tillë deri në fund.
a.q/NOA