Tiranë, 30 qershor 2011, NOA – Në përfundim të gjashtëmujorit të presidencës hungareze në BE, ambasadori i Hungarisë në Tiranë Sandor Molnari deklaroi se alternativa e vetme e integrimit të Shqipërisë në Europë është nisja e dialogut politik mes mazhorancës dhe opozitës, që është edhe rruga e vetme për kapërcimin e ngërçit politik të tejzgjatur në vend.
Ambasadori Hungarisë ngriti shqetësimin për situatën postzgjedhore në vend, duke theksuar se meqënëse se procesi zgjedhor po zgjatet dhe është tejet i vështirë, nuk ka asnjë alternativë tjetër për Shqipërinë sesa nisja e dialogut mes mazhorancës dhe opozitës si një hap për të përshpejtuar integrimin në BE dhe marrjen e statusit të vendit kandidat brenda vitit.
“Hungaria si vend i BE-së e mbështet marrjen e statusit kandidat në BE nga Shqipëria. Tregues i kësaj mbështetjeje dhe vendosmërie janë vizitat e krerëve të lartë të shteteve si ajo e kryeministrit Orban në Tiranë, kryetares së Parlamentit hungarez, si dhe ajo e presidentit Topi në Hungari”, nënvizoi Molnari.
“Ne mendojmë se ky duhet të jetë objektivi kryesor i Shqipërisë që të arrijë të marrë statusin e vendit kandidat në vitin 2011”, tha ambasadori hungarez.
Molnari ripërsëriti se çelësi i integrimit është përmbushja e 12 rekomandimeve të opinionit të KE-së vitin e shkuar.
Ambasadori Molnari tha se përmbushja e këtyre kritereve nuk do të ishte vetëm në interes të integrimit të Shqipërisë në BE, por është edhe përmbushja e dëshirës së pjesës më të madhe të qytetarëve shqiptarë, të cilët janë tërësisht në favor të integrimit të vendit në BE.
Më pas ambasadori i BE-së në Tiranë Ettore Sequi ripërsëriti se BE i ka bërë një thirrje të qartë liderëve të politikës shqiptare të nisin në mënyrë urgjente dialogun politik në vend.
Sequi theksoi se integrimi në BE duhet të jetë axhenda kombëtare e Shqipërisë.
mit/NOA