Tiranë, 30 qershor 2011 NOA – Fatos Nano nuk e fsheh dëshirën për të qenë ai, presidenti i ri i Republikës, në zgjedhjet e pritshme të vitit 2012.
Duke folur me një gjuhë si gjithmonë “me qitje të largët” dhe duke përdorur pa fund figuracione letrare, gjithsesi z.Nano e ka dhënë mesazhin e tij kur u pyet nga Vizion Plus nëse ai do të jetë kandidat për president:
“Është shumë shpejt për pyetje kaq të mëdha”. Kurse duke folur përballë studentësh e pedagogësh në një takim arsimor, duke iu referuar pikërisht largimit të tij nga politika, bëri të qartë se ai ndonëse i përket kohës së shkuar nuk ka ndërmend të rrijë në hije, duke u shprehur se “anijet e vjetra nuk ikin nga deti”.
Ndërsa pyetjes si e sheh procesin e pambarimtë zgjedhor, z.Nano i dha këtë përgjigje: “Nuk besoj se ka ndonjë gjë të paqartë që prisni ta sqaroj unë. Që do të thotë se unë nuk besoj se mund të shtoj ndonjë gjë veç asaj, që respekt për institucionet shtetërore dhe ato zgjedhore”.
Në aktivitetin ku mori pjesë, z.Nano gjendej në shoqërinë edhe të socialistëve të tjerë të njohur si Kastriot Islami, Luan Hajdaraga, Marko Bello, etj.
e.t/NOA