Vlora dhe Saranda një zonë mjaft e njohur e Rivierës Shqiptare, fillon kështu shkrimi i se përditshmes amerikane New York Times në një artikull të posaçëm për bregdetin shqiptar.
“Një parajsë e lirë, në rivierën shqiptare”. Është titulli i artikullit mjaft interesant për rivierën shqiptare publikuar në prestigjiozen “New York Times”.
Reportazhi është shkruar nga Seath Kugel i cili ka vizituar personalisht brigjet e mrekullueshme të vendit tonë, nga Vlora në Sarandë, një zonë e njohur ndryshe si riviera shqiptare.
Fillimisht ai flet për fshatin Ilias ku është përballur me një pamje mahnitëse. Përtej rrugës, reporteri shikon një plazh idilik siç e quan ai, një plazh me guralecë të vegjël ndërsa diku ka dëgjuar të flitet për “Manastirin”, sikur të kërkonte një godinë ku qëndrojnë murgj apo murgesha.
Por në fakt ai gjen një plazh të mrekullueshëm në bregun jonian, në blu-në e thellë të detit. Në afërsi të plazhit, vijon artikulli, shihen bunkerë të shumtë, të vendosur aty që nga koha e ish diktaorit Enver Hoxha. “ Nuk shihet këmbë njeriu në këtë plazh. Gjithçka është imja’’-shkruan autori duke iu referuar këtij ambienti, ndërsa tregon se i mjafton vetëm kaq për tu zhveshur e për të hedhur në ujin e kristaltë, duke regjistruar gjithçka në këtë udhëtim. Bëhet fjalë për gjirin e Gjipesë, një gji i mrekullueshëm, dhe pasi del nga uji, gazetari sheh dy turistë austriakë të vendosur pranë një shkëmbi të zonës ndërsa qeshin me të.
Shqipëria është padyshim një vend shumë i bukur ku me 500 euro në javë mund të bësh ç’të duash – thotë Kugel, ndërsa përmend marrjen me qera të makinës për 4 ditë, një dhomë fjetjeje, ngrënien, konsumimin e kafesë apo edhe pijeve freskuese. Në restorantet e hapura nga banorë të zonës, mund të konsumosh një vakt ushqimi me 8 euro – detajon artikulli. Udhëtimi në rivierë është shumë i bukur, duke nisur nga Vlora, edhe pse në këtë qytet mbizotëron kaosi, pasi rrugët nuk kanë emra, drejtuesit e automjeteve i ngasin makinat me shpejtësi, ndërtime vend e pa vend etj.
Por kjo nuk është aq e habitshme për Shqipërinë, një ndër vendet e varfra të Europës i dalë nga diktatura komuniste, prej më pak se një çerek shekulli. Reporteri përshkon edhe bulevardin Vlorë- Skelë, ku dallohen lehtësisht burrat që tymosin duhan si oxhakë dhe luajnë domino. Himara është një tjetër pikë turistike e përzgjedhur si vendqëndrim për një natë në këtë udhëtim për gazetarin e “New York Times”, i cili shëtit edhe parkun kombëtar të Llogarasë.
Himara, tregon Kugel, nuk ka ndoshta plazhet më të mira, por të habit me gëlimin e fast foodeve apo pikë shitjeve të suflaqeve që janë me shumicë. Diku më tej, shihet edhe një njeri që ka hipur mbi një gomar e kalon përmes qytetit, e një ndërthurje e tillë, duket se i tërheq vëmendjen turistit gazetar, i cili thotë se ka shijuar edhe gatimin ne njërën prej tavernave të zonës. Dikush e ka ftuar atë të provojë edhe rakinë, pije alkoolike tradicionale e Shqipërisë.
Kugel shprehet se i pëlqen shumë kalaja e Himarës edhe pse disa zona është e vështirë ti gjesh pasi mungojnë tabelat drejtuese. Udhëtimi i gazetarit amerikan përmend edhe qytetin e lashtë të Butrintit, një zonë turistike që ia vlen të vizitohet, apo edhe plazhi i Jalit, që shtrihet rreth 3 milje larg rrugës kryesore. Në të, janë vendosur çadra që jepen me qera dhe mikpritja është për t’u vlerësuar.
***
Në këtë artikull gazetari i New York Times, i cili ka vizituar për disa ditë Shqipërinë tregon për bukuritë e vendit por jo vetëm, ato kanë nxjerrë në pah dhe mikpritjen si dhe ushqimin tepër të shijshëm.
Korfuzi shënjestrohet lehtë nga gazetarët për bukuritë e tij. Për ata pika e fillimit të rivierës shqiptare është padyshim Vlora, një qytet “ngjitës” siç e ka përshkruar artikulli, ku jeta e natës është mjaft tërheqëse.
Ndërsa Vlora thuhet në artikull nuk është tërheqëse vetëm për të rinjtë që duan të argëtohem por edhe për moshat e mesme e të treta.
Më pas Vjen Himara, ku artikulli flet për pamjet e saj të mrekullueshme. New York Times thekson dhe gatimin shqiptar, ushqimet tradicionale dhe aq te shijshme. Shqipëria është e njohur për thesaret e saj historike dhe arkeologjike si qyteti antik i Butrintit por ka një bregdet mbresëlënës.
Jala, mjafton ta shohësh me sy të lirë dhe çdo bukuri del. Por edhe e parë me syrin kritik me një det aq të thellë nuk të lë vend për të komentuar.
Në fund të artikullit shkruhet se cilido mund të shkojë në Shqipëri, nga çdo vend i Europës, edhe pse vetë gazetari sugjeron një kombinim udhëtimi ndoshta duke nisur nga Greqia, Italia apo ndonjë vend tjetër i Ballkanit. Ai informon edhe për udhëtimet automobilistike, oraret e tyre dhe çmimet që ofrohen, për të parë një vend të tillë.
Ushqimi është një ndër pikat kryesore që e përditshmja amerikane thekson në faqen e saj. “Në Shqipëri pushimet mund të kalohen jo vetëm duke qëndruar në hotel. Ato bëhen më mahnitëse po të qëndrosh në një çadër kampingu për të shijuar në këtë mënyrë çdo çast nga bukuritë e bregdetit shqiptar” – përfundon artikulli.