English

“New York Times”, reportazh: Në Rivierën Shqiptare, një parajsë e lirë

Nju Jork, 30 qershor, NOA – “Në Rivierën Shqiptare, një parajsë e lirë”.

Ky është titulli që mban një reportazh i posaçëm për mrekullitë e plazheve në vendin tonë, i botuar në gazetën prestigjioze “New York Times”.

I shkruar me shumë detaje nga Seth Kugel, ai përmban mjaft elemente nga plazhet tona dhe mënyrën sesi mund të kalohen pranë tyre pushime të mrekullueshme, por edhe mjaft të lira.

"Pse jo? Unë nuk kisha asnjë program tjetër përveçse të kërkoja aventurë përgjatë shtrirjes shumë të volitshme prej 80-miljesh të plazheve dhe fshatrave midis qyteteve të Vlorës dhe të Sarandës, një zonë e njohur si riviera shqiptare”, nis reportazhi.

Duke treguar më pas kontaktin e parë të artikull-shkruesit, me një greko-folëse të zonës.

“Unë në një përpjekje të pafat kërkoja të gjeja theksin shqiptar, pikërisht në atë që zbulova më vonë se ishte një rajon kryesisht greqisht-folës”, tregon ai.

Më pas, Seth tregon sesi pranë plazhit nisi të shohë një numër ndërtesash në formë bunkerësh izolues, të kohës së diktatorit Enver Hoxha, i cili vdiq në vitin 1985, që në fakt janë instaluar në të gjithë vendin për ta mbrojtur atë kundër një sulmi të huaj, i cili në fakt nuk erdhi kurrë.

“Të paktën në aspektin buxhetor, në Shqipëri kishe mundësi të kurseje. Për herë të parë, pagova 500 € në javë për gjithçka kam kërkuar, duke filluar me një udhëtim me autobus nga Dubrovnik, Kroaci, vetëm 300 milje larg”, pohon artikull-shkruesi.

Duke vijuar se “për udhëtarët, pika e fillimit të Rivierës shqiptare është Vlora, një qytet disi ngjitës me shumë kafene dhe shumë muzikë. Ka një sasi të caktuar të kaosit në Vlorë”, e me rrëfimin mbi vizitën në Muzeun e Pavarësisë, një shtëpi 2-katëshe, ku Ismail Qemali u vendos si kryeministri i parë pasi vendi fitoi pavarësinë nga Perandoria Otomane më 1912.

“Si vizitor vetëm atë pasdite, unë u shpërbleva me një turne personal nga drejtori Ilia Cano, i cili bëri një përpjekje të guximshme për të shpjeguar historinë në anglisht, të përzier me frëngjisht. Ai gjithashtu më lejoi të ulem në tryezën e Qemalit, ku nënshkroi dokumente me stilolaps e tij prej pende”, shkruan më pas, Seth Kuge.

Ai shton sesi qëndroi në Vlorë në netët e para dhe të fundit të javës, por udhëtimi i vërtetë erdhi mbi rrugët e pjerrëta dhe pyjore, të rreshtuara të Parkut Kombëtar të Llogorasë.

E duke zgjedhur më pas Himarën si bazën e tij, autori tregon sesi ajo në fakt, nuk ka plazhet më të mira, por atje u impresionua me kafenetë me pamje të ujit etj.

“Menuja: bërxolla derri me xaxiq dhe patate, karkaleca me salcë domate apo peshk i pjekur në skarë, që të tëra ishin me të vërtetë, mjaft të shijshme”, citon më tej artikull-shkruesi për menunë që provoi në Shqipëri.

Më tej, ai vijon me faktin sesi u mahnit edhe me zbulimin e thesareve historike dhe arkeologjike të qytetitt antik të Butrintit, që ka një shtrirje të veçantë në bregdet.

E kështu vijon rrëfimi i aventurës së autorit në rivierën shqiptare, duke treguar madje ‘me krenari’ se hëngri peshk të freskët dhe oktapod, apo mish qengji dhe sallatë greke, bashkë me byrek shqiptar sa ka plasur, me një shumë që nuk i kaloi kurrë 8 eurot për një vakt.

“Kam fjetur në dhoma private për 20 euro në natë dhe mund të shpenzoja edhe më pak, nëse unë kisha një çadër. Megjithë makinën me qera që mora, fatura totale ishte 459.87 euro”, përfundon reportazhi i “New York Times” për rivierën shqiptare.

n.e/NOA

KOMENTE