English

PS me sytë nga Kolegji, mblidhet në 2 korrik Asamblea Kombëtare

Tiranë, 30 qershor 2011, NOA - E shtyrë për shkak të shqyrtimit të ankimimit të vendimit të KQZ-së, Asamblea Kombëtare e Partisë Socialiste do të mblidhet të shtunën në 2 korrik, për të vendosur mbi qëndrimin politik që kjo forcë do të mbajë lidhur me kërkesën për pavlefshmëri të zgjedhjeve në Tiranë dhe ripërsëritjen e tyre.

Pas rrëzimit të ankesës së PS-së në KQZ, Asamblea Kombëtare e partisë më të madhe opozitare do të vendosë edhe mbi bojkotin e parlamentit, të cilit deri në mbyllje të këtij sezoni për shkak të pushimeve verore, i kanë mbetur edhe plot katër javë.

shtator nisin edhe zgjedhjet e delegatëve të Kongresit të socialistëve, që është paralajmëruar të mbahet në mes të tetorit.

Asamblea Kombëtare e Partisë Socialiste do të mblidhet pas një turi të liderit rozë Edi Rama në bashkitë e komunat e vendit për të diskutuar me bazën socialiste në rrethe, ku edhe është takuar me fituesit e qeverisjes vendore dhe këshilltarët e bashkive e komunave.

Gjithashtu kjo asamble mbahet në një kohë kur tashmë KQZ prej disa ditësh ka shpallur kandidatin e koalicionit “Aleanca për Qytetarin” Lulzim Basha fitues të garës për kryetar bashkie të kryeqytetit me 93 vota më shumë se rivali socialist Edi Rama, i cili kandidoi për të katërtin mandat në kryeqytet.

Socialistët e kundërshtuan këtë vendim duke e ankimuar atë pranë KQZ-së pak ditë më parë, i cili refuzoi ta marrë në shqyrtim.

Sot, PS depozitoi në Kolegjin Zgjedhor padinë për pavlefshmëri të zgjedhjeve në 284 qendra votimi në Tiranë.

Kjo është padia e katërt e opozitës sa i përket rezultatit të zgjedhjeve në Tiranë.

Socialistët janë tashmë me sytë nga Kolegji, i cili pritet t’i vërë vulën rezultatit të shpallur nga KQZ apo të hedhë poshtë këtë rezultat duke urdhëruar mbajtjen e zgjedhjeve të reja vendore në kryeqytet.

mit/NOA

KOMENTE