Përmet, 30 qershor 2011 NOA- Prej dy vjetësh Mendor Brahimaj jetonte i vetëm në shtëpinë e tij në fshatin Luar të Përmetit, ndërsa familja ishte transferuar në zonën e Kombinatit në Tiranë. Pasditen e së mërkurës fqinjët kanë dëgjuar një krismë arme pranë banesës së 45 vjeçarit.
Menjëherë në drejtim të vendngjarjes janë nisur forcat e Komisariatit të Policisë Përmet si dhe grupi hetimor i Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër.
Grupi Hetimor ka konstatuar se Brahimaj, disa metra larg shtëpisë ka plagosur veten e tij në bark me një armë gjahu çifte.
Ai është dërguar në spital ku ka rezultuar se gjendja shëndetësore ishte shumë e rëndë. Megjithë ndërhyrjet e mjekëve, Mentor Brahimaj, rreth orës 06.00 të mëngjesit të sotëm ka humbur jetën në spital.
Nga deklarimet e marra dhe nga veprimet hetimore të kryera rezultoi se ky shtetas vuante nga sëmundje depresive dhe ky dyshohet të jetë edhe shkaku i vetvrasjes.
a.q/NOA