English

Berisha: Përgjigje ligjore ndaj trafikut të qenieve njerëzore

Tiranë, 1 korrik, NOA – Trafiku i qenieve njerëzore ka qenë tema e diskutimit të një seminari të organizuar nga shoqëria civile, përfaqësues të institucioneve shqiptare dhe donatorëve ndërkombëtarë kundër këtij fenomeni.

I pranishëm në këtë takim ka qenë dhe Kryeministri Sali Berisha, i cili tha gjatë fjalës së tij se lufta ndaj këtij fenomeni duhet të përshijë të gjitha hallkat e shoqërisë. Ai theksoi se qeveria është vendosur të përsosë kuadrin ligjor duke e bërë atë në nivelet ndërkombëtarë. Por nga ana tjetër, ai u shpreh se për këtë fenomen duhet ndërgjegjësuar çdo qytetar. “Problemi i trafikut njerëzor është shumë i rëndë. Lufta ndaj tij është komplekse. Do të mund ta luftojmë atë vetëm nëse do të mund të ndërgjegjësojmë çdo qytetarë, sesa çnjerëzor është ai”, tha Berisha. Ai u shpreh se duhet një përgjigje efikase ligjore ndaj këtij fenomeni.

Kreu i qeverisë tha se trafiku i qenieve njerëzore është një problem global. Duke folur për situatën në vend, Berisha shtoi se me gjithë përpjekjet e bëra, fenomeni vazhdon të ekzistojë.

Ai ka theksuar se shoqëria civile është një prej aktorëve kryesor dhe qeveria ka besim në angazhimin e saj. Ndërsa ka shtruar se aktiviteti i organizatave të shoqërisë civile duhet të jetë më transparentë për publikun, në mënyrë që njerëzit të dinë për pasojat negative.

“Unë dua të falënderoj shoqërinë civile në atë që bënë për trafikimin e qenieve njerëzore. Duhet të dini mirë se besimi dhe vlerësimi i qeverisë për ju është shumë i madh. Por qeveria dhe ju jeni të interesuar për një transparencë publike”, tha Berisha.

a.k/NOA

KOMENTE