Uashington, (SHBA), 1 korrik, NOA - Komandanti i forcave amerikane dhe të NATO-s në Afganistan, Dejvid Petreas ka marrë konfirmimin në Kongres si drejtori i ri i CIA-s. Vota e djeshme në Senat i hap rrugën njërit prej ushtarakëve më të nderuar në vend që të marrë drejtimin e një prej organeve më të rëndësishme të zbulimit.
Ashtu siç ka ndodhur që nga momenti kur Presidenti Barak Obama emëroi Petreas në këtë post, Senatorët nuk i kursyen lëvdatat për gjeneralin para se të hidhnin votat për të konfirmuar kandidaturën e tij. Kryetarja e Komisionit të Senatit për Shërbimet e Zbulimit Dajan Fajnstin tha se Petreas merr drejtimin e CIA-s në një kohë rreziqesh, kur po i afrohet fundi luftrave në Irak dhe Afganistan, kur janë hapur luftime në Libi dhe kur vazhdon ballafaqimi si me Iranin dhe me Korenë e Veriut.
"Mendoj se shërbimi i tij ushtarak do t’i vlejë. Mendoj se aftësitë e tij analitike do t’i shërbejnë. Mendoj se ai është vërtetë njeriu i duhur për këtë post”.
Gjatë seancës për konfirmimin e tij javën e kaluar, Petreas u përpoq të eliminonte disa shqetësime të senatorëve për faktin që një ish-ushtarak do të vendosej në krye të një prej organeve të sigurimit kombëtar amerikan. Ai pohoi se pikëpamjet e tij ishin skalitur nga shërbimi ushtarak, por tha se do t’i paraqiste presidentit qëndrimin dhe analizën e CIA-s.
Senatori republikan Saksbi Çamblis nuk pati rezerva kur hodhi votën e tij:
"Si figurë udhëheqëse e luftës, ai sjell një perspectivë unike, pasi ka parë nga afër vlerat taktike të një procesi zbulimi të shpejtë dhe të saktë. Kjo përvojë në një periudhë të paparë bashkëpunimi mes Agjencisë Qendrore të Zbulimit dhe Departamentit të Mbrojtjes nuk do t’i shërbejë vetëm komunitetit të zbulimit dhe ushtrisë, por edhe popullit amerikan”, tha Saksbi Çamblis.
Para shërbimit në Afganistan, Gjenerali Petreas ishte komandant i forcave amerikane në Irak. Ai merr në dorë drejtimin e CIA-s nga Leon Paneta, i cili u konfirmua javën e kaluar si Sekretari i ri i Mbrojtjes, i cili zëvendëson Robert Gejts në këtë post.
NOA/VOA