English

Kush do bëhet ministër?!

Nga Ylber Lili

Megjithëse në parim janë organet, forumet dhe kryesisht kreu i partisë që vendos dhe vulos përfundimisht emërimet në Ekzekutiv, e kundërta ndodh në FYROM. Siç e do zakoni, pas përfundimit të zgjedhjeve dhe certifikimit të rezultateve, partitë fituese futen në një tjetër betejë, e cila ka për qëllim formimin e koalicionit qeveritar. Mirëpo, paraprakisht bëhen ca adete, si të thuash publikohet një listë e gjatë me emra nga të dyja kampet politike për të nisur turin e negociatave për realizimin e premtimeve elektorale. Duke iu referuar numrave, shqiptarët me të drejtë tregonin doza euforizmi duke shpresuar në ndërgjegjësimin e vonshëm të përfaqësuesve politikë shqiptarë. Ky euforizëm buronte ngaqë Ahmeti i kishte të gjitha atributet për të vendosur kushtin shqiptar: realizimin e të drejtave kolektive të shqiptarëve që burojnë nga Marrëveshja e Ohrit dhe të drejtat e bazuara në konventat ndërkombëtare. Por, gjithçka mbeti dhe vazhdon të jetë në kuadër të euforisë dhe të deklaratave farsë të përfaqësuesve politikë të BDI-së, të cilët brenda një dite flisnin broçkulla. Sipas deklaratave të tyre, kreu i Parlamentit, Ministria e Financave, apo ajo e Punëve të Brendshme do të drejtohen nga shqiptarët.

Kakofonia e këtyre zërave mbeti në odat dhe podrumet e selisë së partisë fituese shqiptare që u shuan në tavolinën e bisedimeve. Për të kuptuar në thelb se çfarë ka ndodhur dhe po ndodh me formimin e koalicionit qeveritar, ia vlen të merremi me disa detaje, të cilat na mundësojnë të kemi një ide apo imazh të saktë rreth situatës.

Në sytë e opinionit publik secili nga fituesit përdori trukun duke përveshur “mëngët” për të matur forcat nga distanca. Ali Ahmeti hoqi kostumin e zyrës dhe u ngjit në bjeshkët e Kërçovës duke krijuar idenë e një relaksi para vapës së nxehtë të bisedimeve. Ndërkaq, Nikolla Gruevski e shfrytëzoi pushtetin e tij duke dhuruar spektakël përmes arrestimit të ish-ministrit të Punëve të Brendshme, ish-i akuzuar nga Tribunali i Hagës, Lube Boshkovski.

Për ata që kanë një barrë mend në kokë, sinjali i parë u dha, presioni dhe shantazhi ishin evidente për këdo që nuk ecën pas gjurmëve të Nikollës. Mesazhi u dha: kur arreston bashkëpartiakun e tij apo atë që deri dje konsiderohej nga maqedonasit si hero, tashmë të tjerët për Nikollën nuk vlejnë as 5 groshë. Ky ishte vetëm fillimi. Nikolla Gruevski, duke njohur në thelb dobësitë, mefshtësinë dhe infalitetin politik të partnerit të tij shqiptar, fët e fët ndërtoi skemën për të kapitulluar qysh në krye të herës partinë shqiptare.

Në këto kushte, fryma e turravrapit të “bandillëve” të Ahmetit (grupit negociator), u ndal para këmbëve të Sasho Mijallkovit dhe Gordana Jankullovskës, binom ky që ka ekskluzivitetin e drejtimit të bisedimeve për bashkëqeverisje.

Nuk njoh ndonjë vend tjetër që pretendon se është shtet demokratik që negociatat kryekëput politike t’i drejtojë, menaxhojë dhe urdhërojë shefi i sigurisë kombëtarë të shtetit, apo Ministria e Punëve të Brendshme. Kjo lajthitje ndodh vetëm në FYROM, ditën me diell, para syve të faktorit të brendshëm dhe të jashtëm.

Në këto kushte, e para gjë që më vjen në mendje është dështimi i një marrëveshjeje zhurmëmadhe, defaktorizimi politik dhe etnik i shqiptarëve. Për politikanë seriozë, refuzimi duhej të ishte i menjëhershëm, por Ahmeti e pranoi këtë logjikë absurde me shumë lehtësi.

Në këtë kuptim, BDI nuk ka për qëllim të sigurojë partneritet të sinqertë të ngritur mbi supet e demokracisë konsensuale në vendimmarrje, as për ofertë politike dhe institucionale të shqiptarëve, për barazi kolektive, por thjesht dhe vetëm për të qenë pjesë e pushtetit pa pushtet dhe kush do të bëhet ministër!

Disa syresh, që nuk kanë njohuri të mjaftueshme, mund të kapen fort te ministritë që u takojnë shqiptarëve. Ndonëse në dukje krijohet përshtypja e një oferte joshëse, në esencë kompleksiteti i marrëdhënieve shqiptaro-maqedonase nuk varet nga sasia e ministrive, por nga marrëveshja politike dhe rëndësia e dikastereve. Disa eksponentë të BDI-së me naivitet mëtojnë të fshehin të vërtetën dhe rreken të prodhojnë gjysmë të vërteta. Ata pohojnë se e injoruan postin e kryeparlamentarit duke preferuar postin e integrimeve! Broçkulla.

Para se të flitet për integrime euroatlantike, faktori politik shqiptar në qeveri duhet të ushtrojë fort rolin e tij për integrimet e shqiptarëve në institucionet e sistemit. Pse është i rëndësishëm posti i kryetarit të Parlamentit?

S’do mend që është një post tepër i rëndësishëm, aq më tepër simbolika e këtij posti do të përkthehej se etniteti shqiptar është i përfaqësuar të paktën te njëri nga pushtetet kryesore të një shteti. Së dyti, të paktën do të mbrohej dinjiteti i gjuhës shqipe që përçudnohet sot e gjithë kohën në Parlament, sikundër drejtuesit shqiptarë të komisioneve parlamentare do të flisnin gjuhën e tyre. Së treti, kreu u Parlamentit është një linjë e pakontestueshme komunikimi me faktorë determinantë ndërkombëtare. Sa për ministritë e tjera, ato janë drejtuar nga shqiptarë edhe në qeverinë e kaluar, por edhe më parë. Fatkeqësisht, më shumë peshë kishte zëvendësministri maqedonas, sesa ministri shqiptar. I vetmi dikaster ku kapet partia shqiptare është Ministria e Mbrojtjes, e cila, në kushtet dhe rrethanat e reja ka vetëm çelësat e kashtës, sidomos në epokën e NATO-s. Por edhe në këtë aspekt bie në sy cinizmi i palës maqedonase, e cila për çdo dështim në planin e eurointegrimeve, peshën e fajit do t’ua faturojë drejtuesve shqiptarë si të paaftë.

Nëse do të merreshin gjerë e gjatë me problemet e shqiptarëve të FYROM, gjithkush do të ishte në një mendje me mua, se kandari anon te Ministria e Financave, ajo e Arsimit, Kulturës e ndonjë syresh. Menaxhimi i këtyre ministrive nga shqiptarët përkthehet: çmontimin e sistemit të pyllëzimit të Shkupit me buste që ngrihen me paratë e taksapaguesve shqiptare, parandalimin e teksteve shkollore ku i paraqesin shqiptarët si ardhacakë, kaçakë, të egër e evgjitë, anulimin e përdorimit të palo-enciklopedisë, ngritjen e institucioneve kulturore të shqiptarëve etj. (shqiptarëve u rrezikohet identiteti kulturor i tyre). Por, siç shihet rrjedha e bisedimeve, shqiptarët do të mbeten sërish jashtë sistemit, ngaqë maqedonasit i kontrollojnë të gjitha pushtetet: Presidencën, Legjislativin, Ekzekutivin, Gjyqësorin, buxhetin e kështu më radhë.

E thënë më fjalë të tjera, ardhmëria dhe perspektiva e etnitetit shqiptar në FYROM nuk varet te dikasteret fiktive, por te serioziteti, vullneti, pesha e përfaqësuesve të tyre, të cilët që në krye të herës janë dorëzuar pa kushte. Ky dorëzim shkon përtej imagjinatës, saqë gjithçka e dikton Nikolla Gruevski përmes Mijallkovit dhe Jankullovskës, që zbarkojnë në tavolinën e bisedimeve me dosje që flenë në çantat e tyre. Natyrisht që mes dy palëve ka një biçim marrëveshjeje. Po. Amnisti partiake! Kaq. D.m.th., eksponentët politikë dhe qeverisës të BDI-së do të gëzojnë lirinë për sa kohë u binden rregullave të lojës së partnerit të tyre maqedonas.

Së fundi, tashmë në bisedime ma do mendja nuk flitet për partneritet, por për lista emrash se kush do të bëhet ministër nga radhët e partisë shqiptare. Edhe në këtë pikë, çështja koklavitet. Lista shumemërore kalon nëpër sitën e shefit të sigurisë maqedonase dhe mbërrin në tavolinën e Gruevskit. Kaq. Asgjë më shumë! Përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe, mbyllja e rasteve të Hagës, ligji për dëshmorët e konfliktit 2001, ndarja në mënyrë të barabartë e buxhetit, përmirësimi i statusit social, kulturor dhe ekonomik i shqiptarëve do të mbeten kalë beteje për zgjedhjet e ardhmshme parlamentare.

Gazeta “Panorama”

KOMENTE