Midis periudhës kohore të çdo Samiti kemi pasur zhvillime të reja në rajon: fillimisht pati luftëra e konflikte, më pas nisi procesi i vendosjes së paqes, u shënua krijimi i shteteve të reja, dy vende u pranuan në Bashkimin Evropian, më pas disa vende të tjera u pranuan në NATO, u shënuan procese të shumta rajonale integrimi dhe bashkëpunimi, dhe së fundi u përcaktua një datë për anëtarësim në BE të një fqinji rajonal: Kroacisë
Nga Bamir Topi
President i Republikës
SEECP-i mori udhë 15 vjet më parë, si një nismë e disa shteteve dhe sot bashkon çdo vend në rajon. Ideja fillestare përbënte një sfidë ndaj zhvillimeve të atëhershme dramatike në gjysmën e rajonit, por sot, bilanci i SEECP-it konfirmon ndryshimet e jashtëzakonshme që kanë ndodhur në secilin vend dhe në rajonin tonë në tërësi. Midis periudhës kohore të çdo Samiti kemi pasur zhvillime të reja në rajon: fillimisht pati luftëra e konflikte, më pas nisi procesi i vendosjes së paqes, u shënua krijimi i shteteve të reja, dy vende u pranuan në Bashkimin Evropian, më pas disa vende të tjera u pranuan në NATO, u shënuan procese të shumta rajonale integrimi dhe bashkëpunimi, dhe së fundi u përcaktua një datë për anëtarësim në BE të një fqinji rajonal: Kroacisë. Me këtë rast në emrin tim dhe të shtetit shqiptar dua të uroj përzemërsisht Presidentin kroat për këtë sukses historik të vendit të tij, duke e vlerësuar njëherësh, si një zhvillim historik me rëndësi edhe për vetë rajonin! Ne do të kemi një zë më shumë në Bashkimin Evropian, dhe Shqipëria si vend që synon anëtarësimin, do të arrijë të përfitojë akoma më shumë nga modeli dhe përvoja kroate e integrimit. Në këtë bilanc pozitiv rajonal, vend të veçantë zë edhe iniciativa e SEECP-it, si forumi kryesor politik i Evropës Juglindore. Në kuadër të tij dhe të kësaj fryme vendet tona krijuan një model pozitiv bashkëpunimi, të mbështetur në interesat dhe sfidat e përbashkëta për sigurinë, stabilitetin dhe mirëkuptimin rajonal.
***
Nga Samiti i fundit i SEECP-it, Shqipëria ka shënuar një bilanc politik progresi në raport me synimet dhe frymën e parimeve të Nismës, ashtu edhe në raport me zhvillimet e brendshme. Janë një sërë raportesh të institucioneve të specializuara evropiane që evidentojnë progresin e bërë në fushën e reformave ekonomike dhe institucionale, në rritjen e veprimit të ligjit dhe të shtetit të së drejtës, në progresin e luftës kundër korrupsionit dhe veprimit gjithnjë e më profesional e të pavarur të institucioneve kushtetuese. Ndeshemi me vështirësi që lidhen me aftësinë e aktorëve politikë për një sjellje më bashkëpunuese dhe evropiane në çështje të debatit dhe interesit politik të ditës, por gjithsesi kemi një rritje të ndjeshme të ndërgjegjësimit publik mbi atë se cilat duhet të jenë prioritetet dhe axhenda politike evropiane e vendit dhe se cila është përgjegjësia e vendimmarrësve politikë në çështje të tilla. Në aspektin e politikës së jashtme, çështjeve të bashkëpunimit ndërshtetëror dhe të integrimit evropian, në marrëdhëniet me vendet fqinje dhe problematikave të lidhen me to, kam kënaqësinë të konstatoj se të gjithë faktorët politikë shqiptarë janë në unanimitet. Ky qëndrim e ka forcuar më shumë hapësirën dhe rolin e veprimit të shtetit shqiptar në funksion të fqinjësisë së mirë, politikës miqësore e partneritetit aktiv rajonal. Shqipëria beson tek integrimi i përbashkët evropian, ndaj edhe po jep e do të japë edhe në të ardhmen kontributin e saj aktiv në funksion të këtij synimi.
***
Mali i Zi si kryesues i radhës i SEECP-it përcaktoi disa prioritete pune, për të cilat janë shënuar arritje të dukshme. Nuk ka dyshim se kështu do të vijohet edhe në të ardhmen me kryesuesit e radhës dhe me angazhimet tona të përbashkëta ndaj SEECP-it. Gjithsesi është rasti të theksoj se SEECP-i, ashtu si çdo nismë tjetër rajonale dhe evropiane, ka nevojë të përshtatet e të pranojë realitetet e reja politike në Evropën Juglindore, si dhe problematikat ende të hapura të marrëdhënieve rajonale ose ndërshtetërore. Më lejoni të ndalem në tre çështje, mendoj, të rëndësishme dhe që kanë të bëjnë me tërësinë e situatës së sigurisë, stabilitetit dhe bashkëpunimit rajonal. Çështja e parë është ajo e shtetit të ri të Kosovës. Ashtu si shumica e vendeve të BE-së, SHBA-ve dhe shumica e shteteve të tjera demokratike në botë, Shqipëria mendon se krijimi i shtetit të ri të Kosovës është një ngjarje historike, legjitime dhe një kontribut real afatgjatë për paqen, stabilitetin, sigurinë dhe demokracinë në rajonin tonë. Që nga shpallja e pavarësisë, Kosova ka treguar se është e vendosur të krijojë modelin evropian të një shteti multietnik dhe multifetar, ku respektohen e çmohen të drejtat qytetare dhe ku ngjarjet tragjike që iu imponuan me forcë në të kaluarën nuk kanë penguar vullnetin e saj për të kërkuar e krijuar marrëdhënie miqësie e bashkëpunimi me shumicën e vendeve të rajonit. Shqipëria inkurajon dialogun e nisur midis Prishtinës e Beogradit dhe shpreson shumë që përmes tij të pranohen realitetet e reja politike e shtetërore në rajon, për të ndërtuar urat e bashkëpunimit reciprok midis dy vendeve fqinje që aspirojnë ashtu si edhe ne, integrimin euro-atlantik. Shqipëria vlerëson se çdo ide apo teori tjetër, që e sheh të ardhmen e Kosovës apo ndonjë shteti tjetër ballkanik në skenarë ndarjeje apo përjashtimi, mbetet e papranueshme dhe çfarë është më e rëndësishme, mbetet burim destabilizimi për vetë rajonin. Shqipëria dëshiron miqësi e bashkëpunim me çdo vend rajonal, siç beson e mbështet njëherësh nevojën e madhe që të gjithë anëtarët e SEECP-it të njohin realitetet e reja politike e shtetërore në rajon. Kosova është një shtet i ri, një realitet i ri, i cili duhet pranuar e mbështetur nga të gjitha nismat dhe forumet ndërshtetërore rajonale dhe më gjerë. Çdo qëndrim tjetër refuzues, sidomos në nismat e përbashkëta rajonale, cënon parimet tona të bashkëpunimit dhe u imponon vendeve anëtare të rishohin përparësitë e tyre në angazhimet rajonale. Çështja e dytë që dua të sjell në vëmendje është Maqedonia. Ne mbështesim pranimin e Maqedonisë në NATO, por edhe të fqinjit tonë, Malit të Zi dhe besojmë se integrimi i plotë euro-atlantik është në dobi të vetë paqes e stabilitetit demokratik rajonal. Çështja e tretë, e cila është trajtuar aktivisht edhe gjatë presidencës malazeze, është aspekti ekonomik i bashkëpunimit rajonal. Bilanci i shkëmbimeve tregtare njeh rritje, por ende ekonomitë tona hasin vështirësi në kuadrin e tregut të qëndrueshëm dhe situatës ekonomike rajonale e evropiane. Çdo valë rritjeje apo krize ekonomike në kontinent natyrshëm reflektohet edhe në ekonomitë e vendeve tona. Në këtë kuadër, kriza ekonomike e ndonjë vendi në Bashkimin Evropian nuk mund të mos kalojë pa pasoja edhe për vendet tona, sidomos për vendet fqinje dhe ato që kanë partneritet tregtar të qëndrueshëm me këto vende. Përballimi i reformave të brendshme ekonomike dhe njëherësh i kostos së krizave ekonomike rajonale apo më gjerë, përbëjnë një sfidë të dyfishtë e të vështirë për ekonomitë tona modeste. Ndaj mendoj se ne ndiejmë nevojën për një zgjerim akoma më të madh të hapësirës ekonomike rajonale me atë evropiane, një prani më të madhe të programeve ekonomike të BE-së dhe shteteve kryesore përbërëse të saj, si edhe politika evropiane që asistojnë me teknologji e programe zhvillimi projektet e mëdha të infrastrukturës, energjitikës, informatikës, etj.
***
Edhe njëherë dua të çmoj bilancin e shkëmbimeve dhe bashkëpunimit rajonal në të gjitha fushat respektive në kuadër të SEECP-it. Pavarësisht niveleve të zhvillimit dhe integrimit, sfidat dhe interesat tona mbeten të përbashkëta jo vetëm në fushën politike e rajonale, por edhe në çështje të prekshme si lufta ndaj krimit të organizuar, çështjet e drejtësisë, bashkëpunimit policor e ushtarak, shkëmbimeve kulturore e universitare, dialogut ndërfetar dhe civil, etj. Në këtë këndvështrim SEECP-i mbetet një histori suksesi dhe ka edhe në të ardhmen të gjithë vëmendjen dhe mbështetjen tonë.
*Fjala e mbajtur në samitin e kryetarëve të shteteve dhe të qeverive të procesit të bashkëpunimit të vendeve të Evropës Juglindore (SEECP)